Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Manastirliu: Punë heroike nga mjekët, 20% e shtretërve në dispozicion janë të zënë

Nga A2 CNN
29 Qershor 2020, 18:03 | Aktualitet
Manastirliu: Punë heroike nga mjekët, 20% e shtretërve në

Me anë të një postimi në profilin e saj në Facebook, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, iu është përgjigjur kritikave të ardhura nga “mjekët e politikës dhe politikanët e mjekësisë”, siç i quan ajo, për menaxhimin e pandemisë deri në këtë fazë të saj.

Manastirliu shkruan se mjekët janë duke bërë një punë heroike, ndërsa aktualisht numri i qytetarëve të shtruar në spital është rreth 20% e kapacitetit të shtretërve të vëna në dispozicion.

Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë rregullat.

Për të gjithë “mjekët” e politikës dhe “politikanët” e mjekësisë, që shëndetin e qytetarëve e shohin veç si një armë për ta përdorur në sulmin politik të ditës:

Ne vazhdojmë t’u besojmë dhe të ndjekim strategjinë e ekspertëve më të mirë të shëndetit publik në vend dhe punojmë çdo ditë si ditën e parë, për të forcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor, në përgjigje të epidemisë Sars-Cov2.

Ne vazhdojmë të besojmë fort në ofrimin me transparencë të të dhënave, në mirëkuptimin si dhe bashkëpunimin me qytetarët, për masat e domosdoshme që nevojiten për mbrojtjen e shëndetit në këtë situatë pandemie.

Sot, numri i qytetarëve të shtruar në spital është rreth 20% e kapacitetit të shtretërve të vëna në dispozicion. Po bëhet një punë heroike nga mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të luftës në spitalin Infektiv në QSUT.

Numri i fataliteteve për një milion banorë, është shumë më i ulët se sa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe i dyti më i ulët ndër vendet e rajonit.

Protokollet tona aktuale të survejancës janë të bazuara tërësisht në udhëzimet e OBSH dhe ECDC. 90 përqind e rasteve të dyshuara izolohen dhe konfirmohen brenda 48 orëve.

Ekipet e reagimit të shpejtë të shëndetit publik janë pa pushim në terren dhe janë funksionalë në të gjitha nivelet.

Strategjia jonë e izolimit, në një kohë kur virusi ishte në kulmin e fuqisë së vet goditëse dhe kur ekipet tona të shëndetit publik kishin shumë pikëpyetje dhe të panjohura mbi të, rezultoi një strategji E SUKSESSHME.

Kur ne vendosëm rihapjen e mirëmenduar dhe graduale, pas një izolimi ndër më të fortët dhe më të shpejtët, padyshim që kishim marrë parasysh se rritja e ndërveprimit dhe kontakteve do të sillte raste të infektimeve reja. Prandaj nuk e ndalëm asnjëherë komunikimin me qytetarët, duke kërkuar ndërgjegjësim për zbatimin e masave dhe protokolleve për çdo aktivitet.

Po kështu, ne nuk e ndalëm asnjë moment punën për forcimin e kapaciteteve spitalore dhe pajisjen me materiale të mbrojtjes personale për personelin mjekësor.

Raportimet mbi numrin e të infektuarve, për të cilat qytetarët dhe partnerët informohen çdo ditë, vijojnë të përcillen në mënyrë të saktë dhe mbi të gjitha TRANSPARENTE.

Ne i mirëpresim kritikat konstruktive të gjithsekujt, ashtu sikurse hedhim poshtë me neveri akuzat dhe sajesat e atyre, të cilët që nga dita kur virusi u shfaq, nuk kanë lënë ditë pa bërë politikë me të, me akuza shpesh herë kundërthënëse, duke njollosur PADREJTESISHT punën e mijëra ekspertëve të shëndetit, mjekëve, infermierëve, të cilët nuk e kanë ndalur asnjë çast luftën me Covid-19.

Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë të vetmet mjete që kemi në dispozicion në luftën me Covid-19, që janë distancimi social, vendosja e maskës kudo ku distancimi social nuk mund të ruhet.

Ndërsa kujt bën politike me koronavirusin, u bëjmë sërish thirrje të ndihmojnë duke dhënë pikësëpari shembullin personal për zbatimin e masave Anti-Covid, për të kontribuar edhe ata në luftën me këtë virus.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

A2 CNN Livestream

Dita jonë