Mbi 500 mijë viktima nga Covid-19, SHBA vendi më i prekur, autoritetet e Texas në alarm

Viktimat e koronavirusit në botë i tejkaluan gjysmë milioni. Sipas të dhënave të universitetit “John Hopkins” vendi më i prekur mbeten Shtetet e Bashkuara me gati 125 mijë e 800 vdekje, pasuar nga Brazili që numëron mbi 57 mijë e 600 jetë të humbura, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja. Në fakt, më shumë se gjysma e vdekjeve të regjistruara kanë ndodhur në këto 5 vende. Në nivel global, infektimet me Covid-19 që prej shpërthimit të pandemisë janë mbi 10 milionë.

Shumë shtete amerikane kanë përjetuar rritje te rasteve gjatë ditëve të fundit, e të rinjtë, sipas ekspertëve, po konsiderohen si kryesisht përgjegjës për përhapjen e virusit. Ndërsa Shtëpia e Bardhë pretendon se situata po stabilizohet në shumicën e vendit, autoritet në Texas paralajmërojnë se përhapja e infektimeve ka marrë një kthesë të shpejtë dhe të rrezikshme. 

“Përgjatë javëve të fundit, numri ditor i rasteve me koronavirus ka shkuar nga një mesatare prej 2 mijë të tillash, në 5 mijë” tha Greg Abbott, guvernator i Texas.

Në përpjekjen për të frenuar përhapjen, autoritetet teksane vendosën mbylljen e bareve dhe kufizuan në 50 për qind kapacitetin e hyrjes në restorante. Kufizime janë rivendosur edhe në shtete të Floridas e Kalifornisë, mes rritjes së rasteve me koronavirus. Ndërkaq, Nju Jorku, dikur epiqendër e pandemisë, raportoi numrin më të ulët të vdekjeve që prej shpërthimit të krizës.

Të dhëna shkurajuese vijnë nga Amerika Latine, ku u regjistruan 63 mijë infektime të reja në 24 orë. Edhe pse Brazili mbetet shteti më i prekur, situate nuk është më e mirë në Peru, Meksikë dhe Kili.