Merkel pret Macron, Presidenca e BE në duart e Gjermanisë nga 1 korriku

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohet sot me presidentin francez, Emmanuel Macron, pak ditë përpara se të marrë përsipër rotacionin e Presidencës së Bashkimit Europian.

Sfidat që e presin Berlinin janë tepër të mëdha për shkak të krizës së paprecedentë të nxitur nga pandemia koronavirus. Dy liderët do të takohen pasdite në kullën Mezeberg dhe më pas do të mbajnë një darkë pune.

Bisedimet mes Merkel dhe Macron do të përqendrohen në tema si klima, emigracioni dhe tregtia, por sigurisht nuk do të mungojnë dhe diskutimet për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë.

Nuk dihet ende nëse ata do të prekin dhe temën e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë kancelarja gjermane shpeshherë e ka bërë të qartë opinionin e saj në mbështetje të këtij rajoni, ndërsa presidenti francez ka qenë më skeptik.

Gjatë Presidencës së BE-së nga Gjermania, integrimi i Ballkanit Perëndimor pritet të jetë në fokus të veçantë bashkë me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Por sigurisht në qendër të këtij mandati 6-mujor do të jetë projekti për rimëkëmbjen ekonomike të 27 vendeve anëtare të bllokut.

Mes rritjes së kritikave për një politikë të ashpër fiskale, qeveria e Merkel ka bërë një kthesë 180 gradë duke treguar solidaritet me shtetet më të goditura nga pandemia. Kancelarja bëri lëshime në planin për rimëkëmbjen ekonomike për shkak të shqetësimeve të mëdha lidhur me borxhin e përbashkët që mund të rrezikonte projektin politik dhe të përçante BE-në.