Thaçi: Kurrë nuk kam kryer krime lufte. Nëse aktakuza konfirmohet, jap dorëheqjen

Hashim Thaci 1100x620

Në një deklaratë këtë të hënë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli për aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Thaçi theksoi se gabime politike edhe mund të ketë bërë, por u shpreh i prerë se asnjëherë nuk ka kryer krime lufte.

“Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer, gjaku im është i nxehur, por i pastër, i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur dhe mbështetur Kosovën. Në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë gjykuar e paragjykuar. Ndjehem sot i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bijtë e kësaj toke dhe të gjithë duam të mirën e Kosovës.

E kam kuptuar shumë herët se ne luftëtarët e UÇK-së do të paguanim një çmim të madh, ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim për krime lufte. Të dashur qytetarë, gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte, asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa në kohën e Miloshevicit do të bëj të njëjtën gjë, duke u përgjigjur plumbit të armikut me plumb. Mbi dy dekada e kam mbështetur këtë gjykatë, ky parim mbetet edhe sot”, tha Thaçi.

Më tej, ai u shpreh se ndërkombëtarët nuk janë të drejtë me Kosovën. “Do të isha shumë i lumtur që ndërkombëtarët të adresojnë të njëjtat standarde për krimet e luftës si për Kosovën dhe Serbinë, por shoh të kundërtën. Nuk shoh ndonjë komplot kundër Kosovës, por dallimet ndaj Kosovës dhe Serbisë janë të dukshme”.

Në fund të fjalës së tij, Thaçi theksoi se nëse aktakuzat do të konfirmohen, ai do të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës. “Komunikata i dha një goditje të fortë mundësisë për paqe. Apeli është se Kosova duhet të sigurojë funksionimin e institucioneve. Në këtë kapitull mund të ecim përpara vetëm të bashkuar. Në ditët në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejshme. Me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqjen”.