Deklaratat për aktakuzat për krime lufte, Rama: Të vërtetën do ta mbroj edhe me ndërkombëtarët

I pyetur nga gazetarja e A2, Marsela Karapanço, në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, nëse ekziston mundësia që roli dhe deklaratat e Ramës për aktakuzat për krime lufte ndaj Thaçit dhe Veselit, mund të keqkuptohen nga ndërkombëtarët, kryeministri i Shqipërisë theksoi se e vërteta është e tmerrshme dhe se për të nuk kanë rëndësi reagimet.

“Çfarë kam mësuar në 7 vjet kryeministër është se keqkuptimet më të mëdha me të huajt janë produkt i intrigave mes shqiptarëve. Nëse shqiptarët që kanë komunikim me të huajt do të bënin atë që bëjnë disa popuj të tjerë që kanë bërë sukses të madh, që çfarë na ndaj shqip nuk përkthehet anglisht, sot Shqipëria dhe Kosova do të ishin ku e ku më përpara. Por, fatkeqësisht është nga këtu në Prishtinë dhe nga atje në Tiranë, ku prodhohet helmi për të prishur gjakun e miqve. Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve keqkuptimeve dhe mirëkuptimeve, unë nuk i kam frikë mendimet e mia dhe të vërtetën time di ta mbroj dhe imponoj edhe me miqtë ndërkombëtarë. Kjo është fakt, është një e vërtetë e tmerrshme, është e patolerueshme. Le të dalë kush të dojë dhe të thotë jo kështu e jo ashtu. Mua më ka ardhur keq që kam parë deklarata dhe përshëndetje që e kanë konsideruar atë brutalitet një hap, një zhvillim, një kërcim të drejtësisë, në asnjë mënyrë jo”, u shpreh Rama.

Rama u pyet edhe nëse ka pasur komunikim gjatë kësaj periudhe me Presidentin e Serbisë, Vuçiç. “Unë mbetem ai që kam qenë. Sa më takon, Shengeni Ballkanik është në interes të Shqipërisë dhe Kosovës. Sikur të mos kishim humbur kohë me dokrra e përralla, e konspiracioni, kufiri aty do të ishte sikur vjen nga Prishtina në aeroport, nuk do të kishte asnjë kontroll. Kjo është mundësuar në negociatat dhe përgatitjen e procesit me presidentin e Serbisë. Me këtë proces jemi në paqe dhe në paqe duhet t’i kemi korsitë të ndara. Fqinjin nuk e zgjedh, ajo që ne zgjedhim është interesi ynë strategjik dhe sinqeriteti në qëllim dhe në mjete për të realizuar interesin strategjik. Shengeni është në interes të shqiptarëve”, u shpreh Rama.