Gjykata Kushtetuese, Kim dhe Soreca te Vitore Tusha: KED të përshpejtojë procesin

kim soreca 1 1100x620

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, bashkë me atë amerikane, Yuri Kim, u takuan këtë të martë me Vitore Tushën, kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kyç për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE dhe për demokracinë dhe stabilitetin në Shqipëri. Është vendimtar veprimi i shpejtë i KED në këtë proces. Ne presim vlerësim të shpejtë të renditjes së kandidatëve për 3 vendet vakante. Opinioni i Komisionit të Venecias mundësia për të rënë dakord për mënyrën se si do të ecet përpara në mënyrë që të sigurohet funksionimi i të vetmit institucion që mund të interpretojë Kushtetutën dhe konfliktet kushtetues”, shkroi Soreca në Twitter.

“Thelbi i reformës në drejtësi ka të bëjë me vetëqeverisjen dhe pavarësinë, KED është krijuar për këtë arsye dhe vlerësimi e renditja e kandidatëve duhet të jetë profesional dhe i pavarur. Roli i KED në vitin 2020 është të konsolidojë institucionin dhe praktikat e tij për t’u siguruar që publiku të ketë besim të plotë te procesi dhe vendimet e tij”.

Ambasadorja Kim tha se SHBA do të mbështesë të gjithë ata që kanë kaluar vetingun. “Respekt për gjykatësen Tusha për vendosmërinë e saj për të zbatuar reformën në drejtësi. Shtetet e Bashkuara mbështesin fort atë dhe gjykatësit e prokurorët e tjerë që kanë kaluar vetingun. Ka ardhur koha që institucionet të tregojnë pavarësi dhe integritet”, shkroi ajo në Twitter.