Ndryshimi i Kushtetutës, Përmeti: Fitore, nisja zyrtare e diskutimit, fundin nuk e dimë

Këtë të martë, kreu i grupit demokrat, Myslim Murrizi, prezantoi nismën që ka marrë firmat e 29 deputetëve, ku kërkesat përfshijnë sistemin zgjedhor, pragun 5% për partitë dhe ndalimin e koalicioneve.

I ftuar në “Ditari” në A2, deputeti Andi Përmeti u shpreh se arritja e hapjes së diskutimit për rishikimin e sistemit është një fitore, ndërsa thekson se fundi ende nuk dihet.

“Kjo është një kërkesë fillestare, e cila do të vijë në tryezën e komisionit për ndryshime. Unë nuk kam qenë dakord për pragun 5%, i cili është një detaj dhe ka plot deputetë të tjerë që nuk janë dakord me elemente të tjera, por të gjithë janë dakord me hapjen e listave dhe ndryshimin e sistemit. Nëse kjo do të kalojë në parlament do të kalojë si ndryshim kushtetues, që do të thotë se do të kalohet me votat e përbashkëta.

Kjo çështje i kalon përmasat tona, por kjo nuk është një kërkesë vetëm e disa deputetëve, por një kërkesë që e kërkojnë qytetarët. Janë mbledhur mbi 50 mijë firma. Ne jemi në një betejë. Unë nuk e di si do të shkojë deri më 30 korrik, por në një betejë askush nuk futet si fitues apo si humbës. Ne sot kemi marrë një fitore të madhe, e cila është arritja e hapjes së diskutimit, të negocimit, të prekjes dhe rishikimit të sistemit zyrtarisht”, u shpreh Andi Përmeti.