Rama nga aeroporti “Adem Jashari”: Konfirmoj hyrjen në funksion të rrjetit të përbashkët elektro-energjetik

Rama ne kosove 1100x620

Në përfundim të vizitës së tij dy ditore në Kosovë, kryeministri Rama mbajti një komunikim për mediat në aeroportin Adem Jashari, para se të nisej për në Shqipëri.

Në fillim të fjalës së tij, Rama konfirmoi një lajm shumë të rëndësishëm lidhur me hyrjen përfundimisht në funksion të rrjetit të përbashkët elektro-energjetik dhe të investimit të madh të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, falë edhe përfshirjes së Kosovës në tregun e përbashkët. “Ky është një lajm i gëzueshëm, pasi e dimë shumë mirë se sa kohë kemi pritur qëkur është vënë në lëvizje investimi I madh. Nga sot hyn plotësisht në funksion”, tha Rama.

Më tej, ai komentoi edhe situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova, kur para takimit në Uashington mes Prishtinës dhe Beogradit u publikua aktakuza për krime lufte ndaj Thaçit dhe Veselit, e cila solli më pas edhe anulimin e takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Rama e quajti komunikatën e prokurorit një fletërrufe dhe të pashembullt.

“Dëshiroj të bëj të qartë faktin se jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare për t’i dhënë një mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politik të saj, në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë. Pothuajse për dy dekada, në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, është mbështetur dhe është zhvilluar si një proces i pandashëm nga procesi i shtet-ndërtimit, i pajtimit ndëretnik, i integrimit dhe i dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë formë është formuluar edhe në strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor nga BE-ja. Ndërkaq, është e kuptueshme se procesi i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit me të kaluarën me drejtësinë, por është edhe një çështje e ndërtimit të së ardhmes me politikën. Komunikata, e ashtuquajtur nga unë, një fletërrufe, është e pashembullt. Aktakuzat janë të padrejta dhe deformojnë vlerat e UÇK-s”, tha Rama.