Rama nga Prishtina: Gjykata Speciale abortoi procesin politik të paqes

Përditësuar më: 1/7/2020, ora 10:34

Rama nga Prishtina: Gjykata Speciale abortoi procesin politik të paqes

Përditësuar më: 1/7/2020, ora 10:34

Fjalët e rënda që kishte lëshuar nga Tirana për Gjykatën Speciale, Edi Rama i forcoi akoma më shumë në përfundim të vizitës dyditore në Prishtinë, duke kaluar në akuza.

“Historia e kësaj gjykate speciale të radhës nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces që lidhet me paqen politike”, tha Rama.

Kur u pyet nëse roli i tij në këtë situatë mund të keqkuptohej nga kancelaritë europiane, sidomos pas deklaratave në Parlament për drejtësi selektive, Rama u përgjigj: “Çfarë kam mësuar në 7 vite si kryeministër është që keqkuptimet më të mëdha me të huajt janë produkt i intrigave mes shqiptarëve”.

Pas takimeve me klasën politike kosovare, Rama tha se kishte mësuar më shumë mbi çfarë kishte ndodhur: “Kush kujton se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, është ose naiv ose tejet i verbuar nga mllefi”.

Rama kërkoi që shqiptarët të jenë të bashkuar dhe tregoi se do të tërheqë padinë për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj: “Do ta tërheq padinë jo sepse ajo është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë”.

Rama shpjegoi se nuk i takonte atij të bënte bashkë në një tryezë klasën politike të Kosovës, por një apel e kishte për të gjithë ata që shqipen e kanë gjuhën e nënës: “Gjuhën e nënës të mos e përdorë për të ndarë pjesëtarët e kësaj bashkësie në patriotë e në tradhtarë”.

Ndoshta edhe për këtë, nuk dha një përgjigje direkte për pyetjen se kush fshihet pas këtij sulmi ndaj Kosovës: “Mund të ndodhë që në fund të dalë se mbrapa kësaj jemi vetë ne. Prandaj, mos t’i futemi këtij labirinti”.

U largua duke mbrojtur edhe një herë idenë e Shengenit Ballkanik, të cilin e quajti një interes strategjik të shqiptarëve.