Rriten rastet me koronavirus, rikthehen masat e kufizimit në shumë shtete

Më shumë shtete rreth botës po i rikthehen masave të izolimit, mes rritjes së rasteve me koronavirus.

Autoritetet britanike njoftuan se do të rivendosnin kufizime në qytetin e Leicester, ku po regjistrohet niveli më i lartë i infektimit në vend. Ky është hapi i parë i këtij lloji në Mbretërinë e Bashkuar që prej heqjes graduale të masave për frenimin e pandemisë.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se niveli 7 ditor i infektimit në këtë qytet ishte 135 raste për 100 mijë banorë

“Nga dita e nesërme, dyqanet jo thelbësore do të mbyllen. Duke qenë se edhe fëmijët janë prekur nga shpërthimi i rasteve, shkollat do të mbyllin gjithashtu dyert nga e enjtja”, tha Hancock.

Gjithashtu, shtete të tjera amerikane i janë shtuar listës së atyre që kanë vendosur të pezullojnë lehtësimin e kufizimeve. Arizona bëri kthesë të papritur duke njoftuar mbylljen e bareve, palestrave e kinemave, mes rritjes alarmante të rasteve.

Deri më tani 16 shtete amerikane kanë rikthyer kufizimet, ndërsa trendi i infektimeve në të paktën 36 shtete është në rritje. Shtetet e Bashkuara raportuan të paktën 41 mijë raste te reja me koronavirus dhe 338 vdekje të hënën, sipas universitetit Johns Hopkins.

Gjithashtu Australia jugore dhe Queensland anuluan planet për rihapjen e kufijve shtetëror ndaj të gjithë australianëve mes shqetësimeve për rritje të rasteve në Victoria. Çdo ditë, për gati dy javë, ky shtet po regjistron rritje dyshifrore të infektimeve duke rikthyer një sërë masash parandaluese.

India njoftoi se do të rikthente izolimin në dy shtete deri në 31 korrik. Mbi 10.3 milionë njerëz janë prekur nga koronavirusi në botë, ndërsa viktimat janë mbi 505 mijë. OBSH paralajmëroi të hënën se pandemia nuk është pranë fundit, dhe se më e keqja nuk ka ardhur ende.