Vazhdon intriga për Kumbullën. Lazio në avantazh, por oferta nuk është bindëse

marash kumbulla 600x338

Vazhdon intriga për të ardhmen e Marash Kumbullës, ndërsa në këto momente gjithçka duket larg zgjidhjes. Edhe pse në javën e fundit, Lazio u takua me Veronën duke hedhur në tryezë një ofertë të rëndësishme për mbrojtësin, pala kundërshtare nuk u bind pavarësisht optimizmit në ditët e mëparshme.

Lazio ofroi 20 milionë euro plus një lojtar, por kjo ishte shumë larg pritshmërive të Veronës. Presidenti Setti kërkon 30 milionë euro plus bonuset, ndryshe asgjë nuk do të bëhet.

Juventus ka zbuluar përfundimisht kartat për futbollistin shqiptar, ku me sa duket asnjëherë nuk ka qenë një ofertë bindëse. Bardhezinjtë janë ndalur vetëm te kontaktet, dialogu dhe lojtarët e rinj të propozuar, por pa ia arritur asnjëherë t’i afroheshin seriozisht Veronës.

Kumbulla, nga ana e tij, i dha prioritet Interit që në janar, por operacioni Hakimi ka ngadalësuar dialogun me Veronën. Duket se zikaltërit kanë ndryshuar strategji, pasi një shpenzim 70 milionë euro për dy të rinj do të thoshte shifra të çmenduara.

Inter i ka dhënë prioritet lojtarit të Realit, ndërsa te mbrojtësi shqiptar kërkon të rikthehet më vonë. Me dy skuadra të mëdha të tërhequra, avantazhi duket i Lazios e cila duhet ta mbyllë menjëherë, por ka vetëm një problem: Verona nuk bën zbritje në çmim, madje as nuk e mendon një gjë të tillë.