Amfetaminë e prodhuar nga ISIS, policia italiane sekuestron 14 tonë drogë në Salerno

Policia italiane ka sekuestruar 14 tonë pilula amfetamine të llojit “Kaptagon” që vinin nga Siria, të cilat kapin një vlerë rreth 1 miliard euro.

Autoritetet e përshkruajnë këtë si një sukses të jashtëzakonshëm pasi është një ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapura në të gjithë botën.

Hetuesit bëjnë me dije se konfiskuan 3 konteinerë të mbushur me cilindra letre për përdorim industrial në portin e Salernos në jug të Italisë, me rreth 84 milionë pilula brenda.

“Kaptagon” është një ndër disa emërtimet për fenetilin hidroklorid, një drogë që bën pjesë në familjen e amfetaminës, një stimulues për sistemin nervor qendror. Kjo lloj droge mund të largojë frikën dhe lodhjen, ndërsa është më popullore në vendet e Lindjes së Mesme.

Policia italiane shton se “Kaptagon” konsiderohet ndryshe dhe si “droga e xhihadistëve” pasi është zbuluar shpesh në vendqëndrimet e terroristëve të ISIS, përfshirë në komandon që ishte prapa sulmeve në Paris në nëntorin e vitit 2015.

Hetuesit besojnë se izolimi i vendosur në të gjithë Europën për shkak të pandemisë ka bllokuar prodhimin dhe shpërndarjen e drogave sintetike në kontinent, duke detyruar trafikantët të marrin dërgesa nga Siria.