Bizneset shkelin masat, qytetarët nuk besojnë praninë e virusit

Baret, restorantet dhe marketet janë shkelësit më të mëdhenj të protokolleve të sigurisë ndaj COVID-19. Grupet e Task Forcës, gjatë aksioneve në terren, kanë konstatuar se në këto shërbime nuk respektohen masat mbrojtëse, nga pajisja e punonjësve me maska e doreza, deri te ruajtja e distancës fizike.

Gjobat më të mëdha janë vendosur në bare dhe restorante, të cilat vijojnë punën në ambiente të mbyllura.

Me protokollet e vendosura nga Komiteti i Ekspertëve në ambiente të mbyllura, në institucione publike, private, në biznese e shërbime të ndryshme është e detyrueshme mbajtja e maskës dhe distanca 2 metër nga njëri-tjetri. Ndërsa në ambiente të hapura publike, në rrugë dhe parqe ku ka më shumë njerëz, vendosja e maskës është lënë në vullnetin e qytetarëve.

Por, sot ende një pjesë e tyre refuzojnë ta mbajnë, pasi nuk e pranojnë situatën, as ekzistencën e virusit dhe thonë se besojnë në Zot: “Nuk besoj se ekziston virusi, përderisa nuk përmenden emra viktimash, nuk besoj se ka. Po ishte e shkruar nga Zoti, do të vdesim”.

Vetëm një ditë më parë, ekspertët e shëndetësisë deklaruan për A2 se virusi jo vetëm është në qarkullim, por është aktiv si në fillimet e epidemisë.

Edhe pse rastet e reja rriten çdo ditë, qytetarët dhe bizneset duket se më shumë i tremben gjobës sesa përhapjes së virusit. Aktualisht, numri i të sëmurëve aktivë ka arritur në 1000 dhe pjesa më e madhe e të prekurve janë në Tiranë, në Krujë dhe Shkodër.