Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Ish-kryegjyqtarja e lartë nuk dorëzoi formularët, KPK: S'e vetojmë Shpresa Beçajn

Nga A2 CNN
1 Korrik 2020, 10:13 | Aktualitet
Ish-kryegjyqtarja e lartë nuk dorëzoi formularët, KPK: S'e

Përballja e gjyqtares së Apelit, Shpresa Beçaj, me komisionerët e vetingut nuk i ngjau asnjë përballjeje tjetër që nga nisja e procesit të pastrimit të drejtësisë më shumë se dy vite më parë.

Komisionerët e vetingut nuk relatuan asnjë të dhënë për pasurinë, figurën apo profesionalizmin e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë. Sipas gjyqtarëve të KPK, Shpresa Beçaj nuk kishte dorëzuar asnjë nga tre formularët e vetëdeklarimit për llogari të vetingut që çdo gjyqtar apo prokuror ka dorëzuar, as në afatin e parashikuar dhe as më pas. Për këtë shkak, relatori i çështjes tha se KPK e kishte të pamundur t’i bënte vetingun Beçajt.

Përfaqësuesi ligjor i ish-gjyqtares së Lartë sqaroi se Beçaj ishte e gatshme të vetohej, por ndodhej në një situatë që nuk ishte parashikuar në ligjin për vetingun. Ajo nuk i kishte dorëzuar tre formularët, pasi gjatë afatit kohor të parashikuar ajo nuk ushtronte detyrën e gjyqtares. Edhe kur ajo i ishte drejtuar ILDKP-së, ky institucion i kishte thënë se emri i saj nuk ishte në listat e subjekteve të rivlerësimit. Avokati Julian Mërtiti saktësoi se Beçaj përfundoi detyrën në Gjykatën e Lartë në vitin 2013, por kërkesa e saj për emërim në Apelin e Tiranës nuk u mor në shqyrtim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për 5 vite me radhë.

Beçaj mundi të shkonte në Apelin e Tiranës në vitin 2018, pasi fitoi në Apelin Administrativ përballjen me KLD-në. Nga ana tjetër, u tha në seancë se ndërsa priste të emërohej në Apel dhe gëzonte statusin e gjyqtares, Beçaj kishte ushtruar profesionin e avokates. Me një zë ku nuk fshihej zemërimi dhe emocioni, Beçaj hodhi akuza drejt ish-KLD-së, duke mos përmendur dhe marrëveshje të politikës: “Unë nuk mund ta mendoja se KLD, ku  ndodheshin personalitete nga Presidenti i Republilës, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të Kuvendit dhe 10 gjyqtarë do të shkelte Kushtetutën, ligjet ndërkombëtare dhe ligjin për Gjykatën e Lartë. Jam tepër e indinjuar. Relacioni i KPK ishtë shumë i dobët dhe për të ardhur keq. Isha në listën e parë të personave që shprehën dëshirë për të qenë pjesë e organeve të reja të drejtësisë dhe duhet të isha thirrur. Formula politike e 17 majit nuk e lejoi një gjë të tillë, sepse pata treguar se isha një gjyqtare e pavarur”. 

Seanca e radhës ku pritet të dëgjohet vendimi i KPK për situatën në të cilën ndodhet Beçaj u caktua në 3 korrik.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani