Ndryshimet kushtetuese, Hajdari: Deputeti të përfaqësojë popullin dhe jo të jetë njeri afër kryetarit

Më 30 korrik, Kuvendi do të kalojë për votim kërkesën e opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën. Ligjvënësit  e opozitës kërkojnë lista të hapura kandidatësh për deputetë dhe korrektimin kombëtar të sistemit, heqje te koalicioneve dhe prag 5%.

Për këto kërkesa foli në “Ditari” në A2 deputetja Rudina Hajdari. Ajo u shpreh se nuk jemi në momentin perfekt për të riparë kushtetutën, por synimi i kësaj i kalon interesat e deputetëve.

“Nëse është vullneti i duhur, besoj se harku kohor prej 1 muaj do të jetë i mjaftueshëm. Ne kemi gati një vit që merremi me këtë çështje. Jemi në hapin final dhe muaji korrik do të jetë muaji i listave të hapura. Unë mbetem shpresëplotë. Ne jemi 3 grupe të opozitës parlamentare dhe kërkesat kanë qenë të ndryshme për këtë propozim. Në bazë të kërkesave, u hartua një draft, ndoshta edhe në moment të fundit, pasi në kemi besim se këshilli politik do t’i merrte parasysh. Kjo nuk ndodhi dhe beteja kaloi nga këshilli politik në parlament. Deri tani ja kemi dalë mbanë dhe të krijojmë konstituimin e kësaj tryeze të re për të shqyrtuar këto kërkesa. Është një proces negocimi dhe palët do të kenë kërkesat e tyre. Ndoshta si paketë do të jetë e pamundur të merret. Pragu 5% është tepër i lartë dhe jo i domosdoshëm. Sa i përket koalicioneve, për mua është e rëndësishme që ne në parlament të kemi një cilësi më të mirë të deputetëve.

Deputeti duhet të përfaqësojë popullin dhe jo një njeri që rri afër kryetarit të partisë. Me këtë sistem aktual, koalicionet, kanë shërbyer për të mbuluar njerëz me të shkuar kriminale ose të pakualifikuar, janë fshehur nën partitë e mëdha. Duke dashur të përmirësojmë cilësinë e parlamentit, ne synojmë të përmirësojmë cilësinë e jetës së njerëzve”, u shpreh Hajdari.