Operacioni “Mix” vë në pranga dy persona në Tiranë, kapen me kokainë e kanabis

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Mix”, duke vënë në pranga dy persona në Tiranë, të cilëve u është sekuestruar lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe marijuanë e përpunuar në formë çokollate, LSD,  MDMA, metamfetaminë, fishekë luftarak, fara kanabis për kultivim, peshore elektronike dhe një sasi të hollash.

Në pranga janë vënë shtetasit J. Q., 41 vjeç, i dënuar më parë dhe A. S. 37 vjeçe, të dy banues në Kombinat.

Në rrugën “Komuna e Parisit”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi J. Q. dhe kishte pasagjere shtetasen A. S. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasve të sipërpërmendur dhe gjatë kontrollit të banesës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar droga të llojeve të ndryshme si kanabis, kokainë, metamfetamine dhe MDMA, peshore elektronike, fishekë luftarakë, disa aparate celularë dhe një sasi të hollash.

Nga informacionet e marra dhe veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi J. Q., së bashku me shtetasen A. S., merrej me shitjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë, kanabis dhe lloje të ndryshme të drogave sintetike në zonën e “Lulishtes 1 Maji” dhe në rrugën “Komuna e Parisit”.