Projekti i rrugës Milot-Fier, Rama: Rreziku i vetëm i shtetit, garancia prej 10% e vlerës së rrugës

Vonesat dhe burokracitë europiane për financimin e korridorit Adriatiko-Jonian u bënë shkak që qeveria shqiptare të hedhë vetë hapin për ndërtimin e kësaj rruge.

Gjatë prezantimit të projektit të rrugës Milot-Fier, kryeministri Rama deklaroi se rreziku i vetëm që do të marrë përsipër shtetit është garancia prej 10% e vlerës së rrugës, nëse nuk arrihet trafiku i synuar i automjeteve.

“Duke parë vit pas viti ngadalësinë e madhe dhe hendekun e madh mes çka në procesin e Berlinit është vendosur në tryezën politike dhe çka burokracia europian ka sjellë si rezultat, ne hodhëm një hap dhe bëmë atë që dhe vendet e tjera në rajon kanë bërë, duke mos pritur në pafundësi, por duke vepruar. Këtu flasim për segmentin Milot-Fier, me një formulë të re, e cila nuk e ngarkon shtetin me asgjë më shumë sesa një garanci minimale trafiku, praktikë kjo e mirënjohur në çdo vend të botës. I gjithë financimi prej 1 miliard e 200 milionë eurosh do të bëhet nga fituesi i kësaj gare”, u shpreh Rama.