Rikthim në “Qytetin e Frikës”? Fotot e errëta të Nju Jorkut

Këshilli bashkiak i Nju Jorkut votoi për të shkurtuar 1 miliardë dollarë nga fondet për Policinë e qytetit, duke plotësuar kështu një kërkesë të protestuesve të lëvizjeve anti-raciste në vend.

Por edhe pse buxheti u mbështet nga 32 prej anëtarëve të këshillit bashkiak dhe mori vetëm 17 vota kundër, shumë kritikë mendojnë se ulja e fondeve për Policinë do të ketë pasojë në jetën e njerëzve në një prej qyteteve më të bukur të botës.

Në disa fotografi të publikuara së fundmi, duket e kaluara e errët e “Mollës së Madhe”, në vitet 1970 dhe 1980, kur Nju Jorku u pagëzua si “Qyteti i Frikës”, pasi rrugët kontrolloheshin nga krimi ndërsa Policia paralajmëronte njerëzit të mos futeshin në disa zona të caktuara, ose në metro.

Në vitin 1974, qyteti ishte në 10 miliardë dollarë borxh dhe uli fondet për Policinë. Pikërisht pas këtij vendimi, Policia publikoi një pamflet me titull “Mirë se vini në Qytetin e Frikës: Guidë për vizitorët në qytetin e Nju Jorkut”.

Në vitin 1975, qyteti për pak sa nuk shpalli falimentin pasi iu mohua ndihma nga qeveria federale. Në atë kohë, kriminaliteti pësoi rritje galopante dhe rastet e përdhunimeve të personave që bënin vrap në “Central Park” shtoheshin dita-ditës. Vetëm në fillim të viteve 1990, gjendja nisi të normalizohej dhe qyteti u transformua në mrekullinë që e gjitha bota sot admiron.