Shkurtohet afati i shërbimit, Qendrat shëndetësore verore me masa anti-Covid

Prej dy javësh në të gjitha zonat e plazheve në vend përgjatë vijës bregdetare, kanë nisur funksionimin qendrat shëndetësore verore.

Këtë vit të pazakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit, kohëzgjatja e funksionimit të këtyre qendrave do të jetë më e shkurtër.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon qendrat shëndetësore verore do të funksionojnë deri në datën 31 gusht dhe jo deri më 15 shtator që kanë qenë në vitet e kaluara.

E veçanta e këtij viti është që këto qendra kanë marrë masa edhe për situatën e përhapjes së Covid-19.

Për rastet e dyshuara me koronavirus procedura do të jetë e njëjtë si deri më tani kur do të njoftohet urgjenca në numrin 127 dhe do të jenë grupet e hetimit epidemiologjik që do të marrin tamponët nga personat e dyshuar si të infektuar.