Shtimi i rasteve me Covid-19 alarmi i shëndetësisë në Kosovë: Rrezikojmë kolapsin

KR KOSOVE ALARMI frame 108 1100x620

Shtimi i rasteve me Covid-19 po vendos në vështirësi sistemin shëndetësor të Kosovës. Virologu Salih Ahmeti, tregon gjendjen e pacientëve të shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ndërsa deklaroi se kapacitetet e kësaj klinike janë të stërmbushura. Ai shton se rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus po vështirëson tej mase punën e stafit mjekësor dhe iu bëri apel qytetarëve që të mbajnë maskë mbrojtëse në ambiente publike dhe të ruajnë distancimin fizik.

Sipas Ahmetit, situata është ende e menaxhueshme, por nuk përjashton mundësinë e një kolapsi shëndetësor.

“Ne ende e menaxhojmë situatën, kemi angazhuar edhe staf vullnetar, ekipe rezervë, megjithatë unë po them e menaxhojmë. Mirëpo çdo shtim i numrit të rasteve këtë menaxhim e vështirëson dhe nëse ky numër i rasteve arrin që të marrë vlera të pakontrolluara atëherë situata jonë unë nuk kisha pas dëshirë që të ndodhë, por ekziston mundësia që ne të na çon në një kolaps shëndetësor”, u shpreh Ahmeti.

Kosova aktualisht është në fazën e tretë të rihapjes së ekonomisë. Për shkak të lehtësimit të kufizimeve është rritur dhe niveli i përhapjes së Covid-19. Kjo ka bërë që qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti të rishikojë masat në fuqi dhe ditë më parë paralajmëroi me rikthim të karantinës në zonat apo qytetet me shumë raste si dhe ndaloi tubimet apo eventet me më shumë se 100 persona.