Trump aprovon planin, SHBA redukton praninë ushtarake në Gjermani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës reduktojnë praninë ushtarake në Gjermani. Presidenti Donald Trump aprovoi një plan për tërheqjen e 9500 trupave nga bazat në këtë shtet të Europës, sipas një njoftimi të Pentagonit.

Ky vendim do të bëjë që prania ushtarake amerikane në Gjermani të ulet, nga 34 500 në 25 mijë. Më herët presidenti Trump ka akuzuar këtë shtet se nuk po kontribuon mjaftueshëm në NATO. Gjithashtu pretendon se SHBA po mban mbi supe një barrë shumë të rëndë financiare për mbrojtjen e shteteve të tjera.

Debati është i fokusuar më shumë në përmbushjen e synimit, që vendet anëtare të aleancës të shpenzojnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Një zëdhënës i Pentagonit nuk dha shumë detaje se ku do të rivendosen trupat ushtarake dhe se kur do të ndodhë lëvizja e tyre. Por kreu i Shtëpisë së Bardhë tha javën e kaluar se disa prej tyre do të zhvendosen në Poloni. Gjithashtu nënvizoi se një pjesë do të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim ka shkaktuar shqetësim në Gjermani dhe në vendet e tjera aleate të NATO-s, lidhur me ndonjë ekspansion të mundshëm të Rusisë. Megjithatë Pentagoni mendon ndryshe dhe nënvizon se kjo lëvizje e trupave ushtarake përmirëson fleksibilitetin strategjik amerikan dhe të Komandos Operacionale të përbashkët SHBA-Europë.