Kritikat e FMN, ekspertët: Të drejta, qeveria të marrë masa

Ekspertët argumentojnë se duhet një qasje tjetër për të orientuar fondet buxhetore dhe për të ndihmuar ekonominë, jo në kahun e të ardhurave duke lehtësuar nga taksat kategori të caktuara biznesi, por në kahun e ofertës, duke rritur shpenzimet dhe duke shtuar para në ekonomi.

 “FMN asiston 189 vende dhe nuk ka interes t’i hedhë benzinë zjarrit. Financa publike është mundësi për një gropë të zezë në emër të përjashtimeve, ku fitojnë shumë pak individë, por shkatërrohen financat publike”, thotë ish-ministri i Financave Arben Malaj për A2.

Sipas Elton Haxhit, ish-zv.ministër i Financave dhe Ekonomisë, “Fondi ngre shqetësimin e politikave fiskale, i justifikuar nga fakti që duke menduar që shpenzimet buxhetore do të jenë të larta, borxhi duhet kthyer në trend zbritës. Thënë kjo, të ardhurat tatimore duhet të rriten, mund të jenë masa afatshkurta, por jo për 9 vjet”.

Por, në këtë moment të vështirë që po kalon buxheti dhe ekonomia, a po shkon Shqipëria drejt një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar?

“Edhe nëse nuk po shkojmë, duhet të shkojmë. ekspertiza jonë nuk është aq profesionale sa të përballojë situata të pamenduara, na duhet një mentor full-time që të na mbështesë”, thotë eksperti për ekonominë Ermal Telha.  

Shqipëria deri më tani ka marrë pjesë në 7 programe të mbështetura me fonde nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Aktualisht, institucioni financiar ndërkombëtar mban vetëm rolin e monitoruesit dhe këshilluesit, por pa detyruar ruajtjen e objektivave të veçantë.