Kuadri negociator, A2 zbardh draftin e Komisionit Europian për Shqipërinë

Përditësuar më: 2/7/2020, ora 15:29

Kuadri negociator, A2 zbardh draftin e Komisionit Europian për Shqipërinë

Përditësuar më: 2/7/2020, ora 15:29

Nuk ka një datë kuadri negociator për Shqipërinë që Komisioni Europian i dërgoi Këshillit, por dokumenti prej 22 faqesh që A2 disponon, ka më shumë trajtën e një kontrate mbi të cilën palët do të bazojnë bisedimet e anëtarësimit.  

“Konferenca ndërqeveritare do të sigurojë forumin e dialogut politik mbi reformat, do të marrë në konsideratë procesin e përgjithshëm të anëtarësimit dhe do të përcaktojë një tregues për vitin përpara se cilat grupime apo kapituj mund të hapen ose mbyllen potencialisht dhe masat korrigjuese të mundshme. Shtetet anëtare do të kontribuojnë sistematikisht në procesin e pranimit, duke përfshirë monitorimin në terren përmes ekspertëve të tyre, përmes kontributeve të drejtpërdrejta në raportet vjetore dhe përmes ekspertizës sektoriale”, shkruhet në draft.

31 kapituj do të jenë të ndarë në 6 grupime, ku boshti do të jetë ai i shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit, që bëjnë pjesë në grupin e kapitujve themeltarë. 

“Negociatat për grupin e kapitujve themeltarë do të hapen së pari dhe do të mbyllen të fundit. Miratimi nga Shqipëria i një udhërrëfyesi për kapitujt e sundimit të ligjit, do të përbëjë si pikë referimi për grupin themeltar. Progresi me grupin e kapitujve themeltarë do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave dhe do të merret në konsideratë për vendimin e hapjes ose mbylljes së grupimeve ose kapitujve të rinj”, shkruhet mes të tjerash.

Kuadri negociator e bën të qartë se ecuria me kapitujt dhe grupimet e tjera do varet nga rezultatet e Shqipërisë me kapitujt themeltarë, ndërkohë që një kapitull i mbyllur mund të rihapet. 

“Në rast të një shkelje serioze dhe të vazhdueshme nga Shqipëria të vlerave mbi të cilat themelohet Unioni, Komisioni mund, me iniciativën e tij ose me kërkesën e motivuar të një shteti anëtar, të rekomandojë ndërprerjen e negociatave dhe të propozojë kushtet për rifillim eventual. Këshilli do të vendosë me shumicë të cilësuar inverse, për një rekomandim të tillë, pasi të ketë dëgjuar Shqipërinë. Parlamenti Evropian do të informohet” .

Shumica e cilësuar inverse është një formulë sipas së cilës rekomandimi quhet automatikisht i miratuar, nëse shumica e cilësuar e vendeve anëtare nuk voton për ta rrëzuar atë. Kjo do të vlejë edhe për rastet nëse Shqipëria mbetet mbrapa me implementimin e çfarë i kërkohet në kapitujt themeltarë, apo bën hapa pas. Por edhe nëse Shqipëria shkëlqen dhe realizon në kohë rekord kërkesat, dokumenti nënvizon se ritmi i procesit të zgjerimit duhet të mbajë në konsideratë kapacitetin e Unionit për të thithur anëtarë të rinj. Përveç shkopit, ka edhe karotën.

“Nëse Shqipëria ecën mjaftueshëm në reformat përparësore të dakorduara kjo duhet të çojë në: 1/ integrim më të ngushtë me Bashkimin Evropian, përmes integrimit të përshpejtuar dhe “hyrjes graduale” në politikat individuale, tregut dhe programeve të BE-së; 2/ rritje të fondeve dhe investimeve, duke krijuar, përmes përdorimit të fondeve të BE-së, një preferencë të fortë evropiane që është në përputhje me Organizatën Botërore të Tregtisë, ndërsa krijon një ekonomi të fortë lokale”, thuhet në dokument.

Në dokumentin që pritet të adoptohet nga Këshilli Europian në vjeshtë, nënvizohet gjithashtu se një ditë Shqipërisë do t’i duhet të heqë dorë nga leku si monedhë kombëtare dhe të bëhet pjesë e unionit monetar, duke adoptuar Euron, pasi Këshilli të ketë dhënë aprovimin.