Segmenti Milot-Fier, Basha dhe Rama shkëmbejnë akuza për vjedhje

Planet e qeverisë për ndërtimin e rrugës Milot-Fier, kryeopozitari Lulzim Basha i ironizoi duke e cilësuar si rrugë imagjinare, pasi, sipas tij, gjysma e atij segmenti është ndërtuar kur qeverisnin demokratët.

Një ditë më parë, demokratët folën për një garë fiktive, pasi, sipas tyre, kompania për ndërtimin e aksit ishte e paracaktuar dhe për këtë Basha e paralajmëori që të tërhiqej.

Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter për deklaratat e kryeopozitarit duke i cilësuar të turpshme.

Ndërtimi i rrugës Milot-Fier, i prezantuar një ditë më parë, do të realizohet përmes një koncensioni 35-vjeçar për të cilën u njoftua edhe hapja e tenderit ndërkombëtar. Segmenti, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, do të kushtojë 1,2 miliardë euro, me një kosto prej afro 9,7 milionë euro për kilometër.  

“Nuk kam fjalë për gjuhën e turpshme të atyre që duan të qeverisin Shqipërinë e sulmojnë me fjalët më të ulëta projektin Milot-Fier ende pa nisur mirë gara ndërkombëtare! Këta që fjalën vjedhje e kanë në majë të gjuhës për çdo punë, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin #TURP”, shkroi Rama në rrjetin social.