Messi mund t’i thotë lamtumirë Barcelonës që vitin e ardhshëm

messi 1100x620

Leo Messi mund t’i thotë lamtumirë Barcelonës në vitin 2021. Ky është lajmi i bujshëm që ka publikuar media spanjolle “Cadena Ser”, sipas së cilës, ylli argjentinas ka vendosur të bllokojë dialogun me katalanasit sa i përket rinovimit të kontratës që skadon vitin e ardhshëm.

Kapiteni 33-vjeçar është tejet i irrituar me situatën dhe tensionet në klubin blaugrana pas rezultateve të fundit.

Zërat e fundit që e përfshijnë Messin në manovrat për t’i dalë kundër trajnerit Kike Setien e kanë shqetësuar edhe më shumë “pleshtin”, i cili është shfaqur tepër nervoz në fragmente të ndryshme të ndeshjeve të fundit.

Zgjedhja për të pezulluar rinovimin është një sinjal i qartë për presidentin Bartomeu. Dialogu përpara tensioneve te Barça fliste për një zgjatje të kontratës së Leo Messit deri në vitin 2023, periudhë në të cilën 6 herë fituesi i Topit të Artë është shprehur se do të jetë koha e duhur për t’i dhënë fund karrierës duke u kthyer te skuadra e tij parë në Argjentinë, Newell’s Old Boys.

Situata pritet të zbardhet edhe më shumë me përfundimin e kampionatit, por shumë klube kanë nisur të ëndërrojnë nisjen e tratativave.