Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Covid-19 në SHBA/ Më shumë se 1000 vdekje në ditë, të parët në botë për të infektuarit

Nga A2 CNN
4 Korrik 2020, 10:25 | Bota
Covid-19 në SHBA/ Më shumë se 1000 vdekje në ditë,

Të parët në botë për numrin e të infektuarve dhe vdekjet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish e gjejnë veten në pozitat e liderit botëror, por këtë herë për numrin e lartë të të infektuarve me koronavirus.

Në Amerikë jeton 4% e popullsisë botërore dhe 25% e rasteve të prekura me Covid-19. Më tepër se 125 000 vetë kanë gjetur vdekjen si pasojë e këtij virusi në SHBA, ndërsa të infektuarit janë më tepër se 2,5 milionë. Jeta e amerikanëve ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme nga pandemia më e keqe e shekullit. Ndërsa vendi po tenton të rihapet, rastet e infektimeve të reja janë rritur sërish, këtë herë mes të rinjve dhe në zonat e reja.

Numri i vdekjeve në SHBA është dy herë më i lartë se në Brazil, i dyti në botë për shkallën e vdekshmërisë prej virusit pandemik. Krerët e dy vendeve kanë tentuar të minimizojnë ashpërsinë e koronavirusit. Presidenti Donald Trump ka refuzuar të vendosë maskë në publik, ndërsa ka inkurajuar bizneset të rinisin punën, pavarësisht se ekspertët shëndetësor i druhen faktit që rihapja do të sillte një numër edhe më të lartë infektimesh.

Ndërsa Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, e quajti virusin një “grip të lehtë” dhe paralajmëroi që pasojat nga mbyllja e ekonomisë së vendit do të jenë edhe më të rënda se pandemia. Bolsonaro personalisht ka qenë në qendër të kritikave për manipulim shifrash mbi rastet e vdekjeve prej Covid-19.

Janë disa arsyet mbi këtë masë të lartë përhapjeje dhe vdekshmërie si pasojë e koronavirusit në Amerikë. Reagimi fillestar i Shteteve të Bashkuara ndaj koronavirusit ishte i avashtë për shkak të dështimit me testimet nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, çka solli vonesë me javë të tëra për testimet. Në muajin shkurt, Presidenti Donald Trump minimizoi rrezikun që vinte prej virusit, por zyrtarët e shëndetësisë paralajmëruan se pikërisht ato ditë ishin vendimtare për parandalimin e përhapjes së virusit dhe Amerika e humbi një mundësi.  

1033 vdekje në ditë që nga shkurti. Sipas Universitetit John Hopkins, koronavirusi ka vrarë rreth 126 000 njerëz në SHBA që nga vdekja e parë e raportuar në muajin shkurt. Shifrat flasin për një mesatare prej 1039 vdekjesh në ditë. Shifrat kërcyen në fund të muajit maj. 

80% e viktimave, të moshës 65+. Të rriturit 65 vjeç e sipër ishin kontigjenti më vulnerabël ndaj koronavirusit. Por, tashmë shifrat kanë ndryshuar dhe flasin për rreth 18% të totalit të të infektuarve të rinj në grupmoshat 18-29 vjeç, duke ndikuar në rritjen ekstreme të rasteve në shtete si Florida dhe Teksas. 

Vdekjet prej Covid-19, më të larta se luftrat në Vietnam, Kore, Irak, Afganistan. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi sesa nga luftrat në Vietnam, Kore, Irak dhe Afganistan. Numri i viktimave prej koronavirusit në më pak se 5 muaj është edhe më i lartë sesa totali i amerikanëve që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore.

Mund të jenë regjistruar vetëm 10% e rasteve me Covid-19. Dr. Robert Redfield, drejtor i Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, ngre dyshime që Amerika ka arritur të regjistrojë vetëm 10% të të infektuarve, duke lënë kështu të mendohet se të prekurit mund të jenë 25 milionë, nga 2,5 që raportohen zyrtarisht. Ngërçi i një raportimi të saktë lidhet me fillesat e virusit, kur testimi ishte i limituar. Sot, kur testimet kryhen në masë, shihet që një përqindje e lartë e të infektuarve janë asimptomatikë, çka bën të qartë se numri i të infektuarve në start ka qenë ku e ku më i lartë, thotë doktor Redfield.

Vdekjet në azile janë 42% e totalit të viktimave. 41 shtete kanë raportuar më tepër se 52 000 viktima nga azilet, por shifrat mendohet të jenë më të larta. Me rezidentët që janë kontigjenti më vulnerabël, azilet janë vatra të nxehta infeksioni. Një nga goditjet e para të virusit ka qenë në një strukturë të tillë në shtetin e Uashingtonit, ku humbën jetën 35 rezidentë dhe shumë të tjerë, përfshirë anëtarë të stafit, u infektuan.

Njerëzit me ngjyrë, dy herë më të rrezikuar se të bardhët nga vdekjaprej virusit. Shifrat tregojnë se shkalla e vdekshmërisë në Amerikë është më e lartë mes popullsisë me ngjyrë. Të paktën 26 747 vetë kanë humbur jetën nga Covid-19, ose sa ¼ e totalit të viktimave. Shumë herë më të rrezikuar se të bardhët, hispanikët apo aziatikët në SHBA.

47 milionë amerikanë kanë aplikuar për ndihmë ekonomike. Pasojat e pandemisë kanë qenë shkatërruese edhe për ekonominë e familjeve amerikane. Shumë persona kanë aplikuar për asistencë ekonomike gjatë muajit qershor. Edhe pse bizneset janë rihapur, miliona amerikanë nuk kanë më një vend pune. Që nga muaji mars, 47,3 milionë qytetarë kanë aplikuar për ndihmë finanaciare nga shteti. PBB-ja e tremujorit të parë pësoi një rënie prej 4,8%, tkurrja e parë për ekonominë që nga e njëjta periudhë e vitit 2014, dhe njëkohësisht rënia më e keqe që nga 3-mujori i katërt i vitit 2008, kulmi i krizës ekonomike globale.

Akoma nuk ka mbaruar. 36 shtete raportuan shifra në rritje në javën e fundit të qershorit. Të shtunën, autoritetet raportuan 9 585 raste të reja në Florida, rekord ditor që nga fillimi i pandemisë. Shumë shtete kishhin nisur procesin e rihapjes, e po shumë i kanë ndalur planet e tyre për lehtësimin e kufizimeve. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani