Inspektim për zbatimin e masave antiCOVID, Manastirliu: Shëndeti i qytetarëve i pari, zero tolerancë ndaj shkeljeve

manastirliu 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se Task-Forca antiCOVID do të vijojë intensifikimin e kontrolleve në terren me kapacitete të shtuara, 24 orë në 7 ditë të javës, për zbatimin e masave dhe protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Gjatë inspektimit në terren bashkë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, ministrja Manastirliu u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është serioze, ndaj nuk mundet të tolerohet asnjë neglizhencë e bizneseve për moszbatimin e masave dhe protokolleve: “Jemi në një situatë serioze, ku moszbatimi i masave dhe rregullave nga bizneset cenojnë shëndetin e popullatës, pasi ndikon në përshkallëzimin e infeksionit. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë neglizhencën. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë marrëzinë për të mos iu përgjigjur protokolleve dhe rregullave. Nuk mundemi dot të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh, kur shohim që masat nuk zbatohen në një biznes dhe ata të cilët shërbejnë nuk mbajnë maskë, kur shohim që në restorante ka një grumbullim përtej masës së lejuar dhe kur në supermarket shërbejnë pa vendosur maskat”.

Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ashpërsimin e masave për shkelësit e ligjit: “Do të shtojmë grupet e inspektimit dhe kontrollet në qytetet që konsiderohen vatra për arsye të numrit të të prekurve, por gjithashtu për gjatë gjithë bregdetit do të vijojmë me kapacitete të shtuara sa I përket inspektimet, verifikimit të protokolleve dhe masave dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për të gjithë ata të cilët nuk zbatojnë protokollet. Nuk ka më këshillime por do të vijohet me gjobat dhe mbyllje e aktivitetit për shkeljet e përsëritura. Askush nuk e do këtë, por kjo është për të mirën e shëndetit të gjithësecilit”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, u shpreh se Policia e Shtetit është e angazhuar jo vetëm për monitorimin e personave që janë të konfirmuar pozitivë dhe duhet të qëndrojnë të izoluar, por edhe në ndihmë të Task-Forcës në terren për ndjekjen dhe zbatimin e protokolleve për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.