“Qeveria është dorëzuar”, apeli i Bashës për qytetarët: Situata është e rëndë, mbrohuni vetë nga virusi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje nga Pogradeci qytetarëve që të marrin vetë masa për t’u mbrojtur nga koronavirusi, pasi qeveria, sipas tij, është dorëzuar.

“E rëndë është situata e COVID-it, ndaj dua t’ju përsëris thirrjen që ju bëra edhe mbrëmë: Ju lutem, merrni masa maksimale, përmes distancimit, përmes maskave në ambiente të mbyllura dhe përmes higjienës. Qartësisht, qeveria është dorëzuar. Nuk ka asnjë plan, asnjë strategji dhe refuzon të bëjë të ditur çfarë masash po merr për këtë valë të dytë, nëse mund ta quajmë kështu, të infeksioneve, e cila është shumë e lartë dhe që ka zhbërë sakrificën tremujore të secilit prej nesh”, tha Basha.

“Mos prisni gjë nga qeveria! Merni masa, mbrohuni dhe të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë dhe sa më të madh në atë drejtim nga i cili do të përfitojnë të gjithë shqiptarët me ekonomi, me punësim dhe me mirëqenie dhe jo vetëm një grusht njerëzish”, shtoi kreu i PD-së.