Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ekstremet e klimës. Cilat janë fatkeqësitë natyrore që godasin më shpesh vendin tonë?

Nga A2 CNN
5 Korrik 2020, 11:38 | Aktualitet
Ekstremet e klimës. Cilat janë fatkeqësitë natyrore që

Parashikimet klimatike afatgjata projektojnë për Shqipërinë një rritje të temperaturës mesatare vjetore me 5°C dhe pakësim të reshjeve me 15% deri në fund të këtij shekulli. Por ajo çfarë është më e rëndësishme, këto parashikime projektojnë më shumë ngjarje të motit ekstrem në të ardhmen që do të thotë përmbytje më të shpeshta, më shumë periudha thatësire dhe valë nxehtësie.

Rikujtojmë se trajtimi i çështjeve të ekstremeve klimatike në territorin e Shqipërisë ka në fokus fatkeqësitë natyrore më të shpeshta dhe me koston më të lartë për shqiptarët. Sigurisht që kostoja më e lartë e një fatkeqësie natyrore është humbja e jetës njerëzore, por në kushtet e një ekonomie të dobët, është shumë e rëndësishme edhe mbrojtja e pasurisë dhe ekonomisë së një vendi. Fatkeqësitë natyrore që godasin më shpesh Shqipërinë janë tërmetet të cilat mbajnë 18% të rasteve me fatkeqësi natyrore, por janë përmbytjet që zënë 2-fishin e peshës. Janë fatkeqësitë natyrore me origjinë hidro-meteorologjike, si reshje intensive, përmbytje, thatësira, valë nxehtësie dhe zjarre, të cilat rrjedhin prej ndryshimeve klimatike dhe përbëjnë mbi 60% të të gjitha rasteve të fatkeqësive natyrore në territorin e Shqipërisë.

Përmbytjet njihen si fatkeqësia natyrore më “popullore” në të gjitha vendet Mesdhetare, edhe Shqipëria përballet të paktën 1 herë në vit me përmbytje të shkallës lokale por mjaft shpesh, përmbytjet zaptojnë disa qarqe njëherësh duke paralizuar për disa ditë apo edhe javë, aktivitetin njerëzor dhe ekonomik në zonat e përmbytura. Dëmet që përmbytjet kanë shënuar në humbje jetësh njerëzore, fatmirësisht për Shqipërinë kanë qene të pakta por dëmet në ekonomi, çdo vit e më tepër prodhojnë fatura të larta financiare për familjet, bizneset dhe buxhetin e shtetit.

Korriku sapo ka nisur dhe temperaturat e larta janë shkaktare të zjarreve në përgjithësi, veçanërisht të zjarreve në pyje dhe kullota. Klima e mesdhetare, së cilës i takon edhe Shqipëria, karakterizohet nga verë e gjatë dhe e nxehtë, me periudha të gjata thatësire dhe temperatura të larta. Pas vitit 2000, temperaturat e muajve të verës kanë regjistruar deri 40 gradë Celsius, madje ka edhe ditë kur temperaturat në zonat urbane e tejkalojnë këtë vlerë termike. Janë pikërisht këto ditë me temperatura të larta, të cilat bëhen shkaktare të zjarreve në masivet pyjore, fenomen i cili është kthyer në një rrezik të madh për jetën dhe pasurinë e popullatës por edhe në një shfarosësh të florës dhe faunës në shumë zona të Shqipërisë. Nëse do i shtojmë zjarreve natyrore edhe numrin jo të vogël, të zjarrvënies së qëllimshme, dëmet bëhen të pallogaritshme për shkak të dëmtimit të zinxhirit prodhues nga agro-bujqësia në blegtori dhe në prishjen e ekuilibrave të ekosistemit. Në 2 dekadat e fundit numërohen qindra vatra zjarresh në pyje ku vlen të veçohet viti 2017 i cili ka regjistruar mbi 300 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Si një vend me rrezik të lartë ndaj fatkeqësive natyrore, Shqipëria shpesh është gjunjëzuar përballë forcave të natyrës. Frekuenca e lartë e goditjeve të natyrës kërkon struktura të forta dhe buxhete të larta për menaxhimin e fatkeqësive të natyrës. Deri në vitin 2019, fatkeqësitë natyrore janë menaxhuar nga Drejtoria e Emergjencave Civile, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ndihmuara nga Forcat e Armatosura ndërsa aktualisht, është krijuar Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila bën politikat e reduktimit të riskut dhe njëkohësisht  është koordinatore e mbrojties civile. 

Kemi parë fakte të ndryshimeve klimatike, kemi analizuar koston e fatkeqësive natyrore DHE do të jemi sërish, të shtunën tjetër me çështje të klimës, mjedisit dhe ujit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë