Kosova rikthen izolimin në disa komuna, Maqedonia e Veriut ashpërson masat

Koronavirusi ne kosove 1100x620

Kosova rikthen kufizimin e qytetarëve nga ora 9 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit. Masat do të aplikohen në komunat e prekura më shumë nga virusi si Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria.

Në të gjithë vendin, në të njëjtin orar, nuk do të lejohen restorantet. Gjatë ditës së sotme 4 persona kanë humbur jetën në spitalin infektiv të Prishtinës, ndërsa familjarë të njërit prej viktimave denoncuan faktin që shkak u bë mungesa e oksigjenit gjatë trajtimit të të shtruarve.

Burimet konfirmuan për mediat vendase se spitali ka pasur problem me furnizimin me oksigjen, por diçka e tillë nuk u konfirmua nga autoritetet dhe as nga kryeministri Hoti pas takimit të sotëm me autoritetet shëndetësore.

E vetmja gjë që tha në lidhje me ngjarjen është se mjekët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë, ndërsa hetimet po vazhdojnë në lidhje me rastin.

Maqedonia e Veriut, ndërkohë, njoftoi 115 të infektuar, 7 të vdekur dhe 40 të shëruar për 24 orët e fundit. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, përkatësisht 53 raste të reja, Strugë 13 raste, Tetovë 8 dhe nga gjashtë raste në Dibër dhe Shtip. Autoritetet u kërkuan edhe njëherë qytetarëve të respektojnë masat, në të kundërt do të përballen me ligjin.

474 persona janë sanksionuar në lidhje me shkeljen e këtij vendimi që parashikon mbajtjen e maskave mbrojtëse.