Barcelona “ndez” polemikat: VAR-i favorizon gjithmonë të njëjtin ekip

bartomeu 600x338

Barcelona fitoi bindshëm ndaj Villarreal mbrëmjen e djeshme dhe pas ndeshjes, Presidenti i saj kërkoi fjalën para mediave për të “ndezur” polemikat, kur kanë mbetur edhe 4 sfida nga përfundimi i kampionatit spanjoll.

Josep Bartomeu vuri në dyshim arbitrimet dhe VAR-in në ndeshjet e Real Madrid, edhe pse për asnjë moment nuk e përmendi klubin madrilen: “VAR-i nuk po paraqitet në lartësinë e duhur. Nuk po tregohet i barabartë për të gjithë që nga kthimi i kampionatit, po ndikon në rezultate dhe duket se favorizon gjithmonë të njëjtin ekip. Ka pasur shumë ndeshje ku VAR-i ka mbajtur anën e vetëm një ekipi. VAR-i duhet të ndihmojë arbitrin, por në javët e fundit kemi parë pamje që tregojnë se teknologjia nuk është treguar e barabartë”.

Këtë mesazh e përforcoi edhe trajneri Quique Setien në konferencën e shtypit pas ndeshjes: “Nuk komentoj fjalët e Presidentit, pasi kur flet Presidenti, unë nuk kam çfarë them më shumë. E kuptoj gjithmonë e më pak VAR-in, kam mendimin tim për disa gjëra, por që nuk dua ta shpreh”.

Real kryeson kampionatin spanjoll me 4 pikë më shumë se Barça dhe 4 ndeshjet që kanë mbetur për t’u luajtur në La Liga duket se do të jenë shumë të vështira për arbitrat në fushë dhe sidomos për ata në sallën e VAR-it.