Dialogu Kosovë-Serbi rifillon me 12 korrik në Bruksel, takim me Merkel dhe Macron

Bashkimi Europian cakton datën për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Më 12 korrik, kryeministri Avdullah Hoti do të jetë përballë presidentit Aleksandër Vuçiç në Bruksel, takim i cili do të ndërmjetësohet nga shefi i diplomacisë së jashtme të Unionit, Josepg Borell dhe përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak.

Konfirmimi erdhi nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano që theksoi në një konferencë për shtyp se bisedimet do të çojnë përpara punën për arritjen e një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve. Gjithashtu nënvizoi se ky do të jetë takimi i parë mes palëve që nga nëntori i vitit 2018.

 “Ky takim do të rinisë bisedimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës duke u marrë me të gjitha çështjet e pazgjidhura”, deklaroi Stano.

Përpara se të vendosen ballë për ballë, Hoti dhe Vuçiç do të kenë dhe një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Samiti Prishtinë-Beograd duhej të mbahej në Paris me 10 korrik, por për shkak të pandemisë u vendos që të zhvillohej në mënyrë virtuale me video konferencë. Qëllimi i Merkel dhe Macron është që zbusë tensionet mes dyja vendeve dhe të shtyjë Kosovën e Serbinë drejt pajtimit përfundimtar më një marrëveshje paqeje.

Ndërkohë, raundi i parë i dialogut duhej të mbahej në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, por takimi u anulua nga aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale kundër presidentit, Hashim Thaçi.