Koronavirusi në Shqipëri, Muka: QSUT duhet të hetohet për shndërrimin në vatër infeksioni

Në Shqipëri çdo ditë po bëhen thirrje për kujdes të shtuar nga autoritetet në lidhje me masat individuale për ndalimin e përhapjes së koronavirusit. Mes shifrave që po cilësohen të larta dhe jetëve të humbura që duket se çdo ditë po shtohen, virusi dhe përhapja e tij në vendin tonë duket se ka ende shumë të panjohura.

Për pandeminë dhe situatën ku ndodhet vendi ynë foli në A2 epidemiologu Taulant Muka. “Besoj se situata ka qenë kritike në Shqipëri që në momentin që u bë hapja. Kam thënë se hapja është bërë pa siguruar masat që do të mundësonin më pas hapjen e qëndrueshme. Ka një përqindje shumë të lartë pozitiviteti të testeve të kryera. Në anën tjetër janë rritur edhe personat e shtruar në spital. Situata është kritike dhe unë besoj se shteti duhet të reagonte më fortë, duhet të analizonte situatën dhe të merrte masa parandaluese. Është e nevojshme që të krijohen kapacitete të reja diagnostikuese edhe nëpër rrethe. Mungon një strategji kombëtare”, u shpreh Muka.

Më tej, Muka thekson se QSUT duhet të hetohet pasi është kthyer në vatër infeksioni. “QSUT mendohet të ketë qenë burimi i infektimit të dy mjekëve që kanë ndërruar jetë deri tani nga koronavirusi. Kjo është alarmante dhe kjo do të thotë se institucionet përkatëse, përfshirë këtu edhe drejtorin nuk kanë bërë punën si duhet. Po të ekzistonin protokollet dhe të zbatoheshin ato, unë besoj se të dy mjekët sot mund të ishin gjallë. QSUT vazhdon të mbetet një vatër infeksioni dhe kjo është e patolerueshme. Organet hetuese të drejtësisë duhet të kishin investiguar çështjen pse ka shkuar në këtë pikë dhe të kishte të ndëshkuar. Sot, drejtori i spitalit duhet të ishte shkarkuar”, u shpreh Muka.