Pandemia në SHBA, rihapja e shpejtë e ekonomisë rrit shifrat në 32 shtete

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan 49 mijë raste me koronavirus në ditën e fundit, duke regjistruar kështu një tjetër rekord. Ndërkohë,  271 pacientë humbën jetën, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

 Kjo bëri që bilanci total të arrijë në mbi 2.8 milionë të infektuar dhe rreth 130 mijë viktima. Autoritetet shëndetësore amerikane janë të shqetësuara pasi në 32 shtete është raportuar rritje e shifrave ditore, teksa theksojnë se kjo ka ardhur për shkak të rihapjes së shpejtë të ekonomisë.

Situata më problematike paraqitet në Florida dhe Kaliforni, shtete që raportuan mbi 10 mijë raste. “Ne jemi sërish në pikun e pandemisë. Ndryshimi tani është se nuk kemi vetëm një epiqendër përhapjeje, siç ishte Nju Jorku, por kemi katër: Los Angeles, Teksas, Florida dhe Arizona”, shprehet Scott Gottlieb, ish- komisioner për Administratën e Ilaçeve dhe Ushqimeve për CBS.

Sistemi shëndetësor i druhet një emergjence tjetër pasi paralajmërojnë se strukturat e përkujdesjes mund të tejmbushen sërish duke marrë shkas edhe nga mos respektimi i distancimit social apo mbajtjes së maskës mbrojtëse.

Festimi i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar tej mase në përkeqësimin e situatës, pasi është një ditë ku tradicionalisht familjarët dhe miqtë mblidhen bashkë për të celebruar në parqe e plazhe.

Ndërkohë, duke qëndruar në Amerikë, tepër serioze paraqitet situata në vendet latine. 602 pacientë humbën jetën në Brazil duke e çuar bilancin e viktimave në mbi 64 mijë. Rastet e reja ishin 26 mijë për një total prej 1.6 milionë të infektuarish që prej shpërthimit të pandemisë Covid-19. Emergjencë edhe në Meksikë, vend i cili shënoi 273 viktima në 24 orët e fundit dhe mbi 4600 raste me koronavirus.