Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Rishikimi i buxhetit, fondet shkojnë te rrugët, jo te shëndetësia

Nga A2 CNN
6 Korrik 2020, 16:18 | Ekonomi

Një deficit prej mbi 1 miliard eurosh dhe një rënie ekonomike prej 5,7% dhe rritje e borxhit publik në nivelin e mbi 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, janë këto pasojat e krizës së Covid-19, të parashikuara nga Ministria e Financave. Përmes një akti normativ, qeveria ka rishikuar edhe njëherë planin e saj të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Kriza e konsumit, largimet masive nga puna dhe ecuria e dobët e biznesit kanë bërë që të hyrat në buxhet të rishikohen me rreth 350 milionë euro më pak.

Ndërsa nga krahu tjetër, ai i shpenzimeve, Financat kanë planifikuar 480 milionë euro shpenzime më shumë se fillimi i vitit dhe 170 milionë euro më shumë nga rishikimi i fundit i buxhetit në muajin prill.

Por, pavarësisht rritjes së shpenzimeve qeveritare, që e çojnë deficitin buxhetor dhe borxhin në nivelet më të larta historike, rritja më e madhe e fondeve nuk shkon për shëndetësinë dhe politikat sociale, por për projektet në infrastrukturë.

Fondet për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë rriten me 7.6 miliardë lekë, ndërsa për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale rriten me vetëm 1.3 miliardë lekë. Po ashtu, edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka një rritje të shpenzimeve me 3 miliardë lekë. Ndërkohë, dikasteri me rritjen më të madhe të fondeve është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku pjesa më e madhe e buxhetit të shtuar prej 9.2 miliardë lekësh do të shkojë për të subvencionuar skemën e pensioneve, pagesat e papunësisë dhe programin e strehimit.

Në fund të vitit, stoku i borxhit publik pritet të arrijë në 1,27 trilionë lekë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë