Emergjenca Covid-19, sa para u shpenzuan për shëndetësinë?

Publikuar më: 7/7/2020, ora 16:46

Emergjenca Covid-19, sa para u shpenzuan për shëndetësinë?

Publikuar më: 7/7/2020, ora 16:46

Pandemia e koronavirusit dhe situata që duhet të përballonte sektori i shëndetësisë ka dhënë një ndikim të madh ekonomik, duke zënë një pjesë të madhe edhe të shpenzimeve buxhetore.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për 5-muajt e parë të vitit, ku përfshihet edhe faza e shpërthimit të virusit në Shqipëri, fondet e shpenzuara nga Ministria e Shëndetësisë kapin vlerën e 26.2 miliardë lekëve apo rreth 40% e totalit të shpenzimeve vjetore për këtë sektor.

Por jo e gjithë kjo shumë është shpenzuar për emergjencën e Covid-19. Në zërat e detajuar, tregohet se rreth 7 miliardë lekë apo 56 milionë euro kanë shkuar për shërbimet e kujdesit shëndetësor dytësor, ku përfshihet trajtimi i pacientëve të shtruar në spitale dhe mbulimi i popullatës me kujdes mjekësor spitalor.

Për të përballuar pandeminë, qeveria u detyrua të akordonte një fond shtesë prej 2.5 miliardë lekë, ekuivalent me 25 milionë dollarë në paketën e parë financiare, të akorduar në muajin prill.

Të dhënat e detajuara të Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë se tenderët e periudhës nga 9 marsi kur shpërtheu pandemia e në vijim kanë qenë për blerje medikamentesh, pajisjesh mjekësore dhe kitesh testimi.

Ndërkaq që në rishikimin që qeveria i bëri buxhetit të këtij viti pak ditë më parë, fondet për shëndetësinë u rritën me 1.3 miliardë lekë.

Edhe pse gjendja e jashtëzakonshme tashmë ka përfunduar, ende nuk jepet një bilanc i saktë sesa i ka kushtuar financave publike pandemia dhe veçanërisht shpenzimet për sektorin shëndetësor. Kjo edhe për faktin se shumë nga nevojat e momentit u përballuan nga dhurimet e ndryshme që u bënë nga institucionet vendase dhe të huaja, kryesisht ambasada amerikane, qeveria kineze dhe Bashkimi Europian, për të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave ende nuk kanë bërë përllogaritjet e sakta.

Sipas këtyre institucioneve, situata është në dinamikë, çka do të thotë se në varësi sesi do të jetë ajo, do të jetë edhe përgjigja me fonde.