Ndryshimet kushtetuese, ndërkombëtarët sugjerojnë kthimin te ”Venecia”

Komisioni i Venecias është në pritje të Kuvendit të Shqipërisë për t’u aktivizuar sërish për një tjetër çështje të politikës shqiptare, ndonëse ka vetëm pak javë që ka mbyllur dy opinione për Tiranën.

Përfaqësuesi i Këshillit të Europës në Tiranë Olsi Dekovi, i këshilloi politikanëve shqiptarë që dhe për ndryshimet kushtetuese që kërkon opozita parlamentare, mbi listat, koalicionet e pragun elektoral, të trokasin në derën e zakonshme.

OSBE në Tiranë ia delegoi selisë qendrore çështjen. Këshilltari Florian Hobdari, i cili ka asistuar hartimin e ligjeve elektorale në dekadën e fundit, e bëri të qartë të mos presin propozime konkrete për sistemin.

Sipas kalendarit të punimeve, ndryshimet kushtuese do duhet të votohen në seancën e 30 korrikut.  Por nëse  vendoset rithirrja e Venecias, afati mund të shtyhet me disa muaj.