Ngjarja e rëndë e Kombinatit, pastori Akil Pano: Vetëvrasjet ndodhin çdo vit në Shqipëri, situata nuk lidhet fare me kulturën e krishterë

Pastori Akil Pano, i ftuar në studion e “Dita jonë” në A2, komentoi ngjarjen e rëndë të Kombinatit, ku nënë e bijë u gjetën pa shenja jete në banesën e tyre ne Kombinat, ndërsa vajza tjetër e familjes u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Zhaneta e Anisa Josifi u vetëflijuan ndërsa besonin në ringjallje.

“Janë ngritur pyetje të mëdha mbi fenë në vendin tonë pas këtij episodi. Ky është momenti për të hedhur dritë mbi të vërtetat. Së pari, vetëvrasjet ndodhin çdo vit në Shqipëri. Nuk dëshiroj të zbeh këtë ngjarje të rëndë, por më duhet të them që në vitin 2018, në vendin tonë ka pasur 183 vetëvrasje, një numër 3 herë më i lartë sesa vrasjet. Ky është fenomen që lidhet me varfërinë dhe depresionin. Së dyti, fetë monoteiste e shohin vetëvrasjen si mëkat të rëndë. Fetë njohin agjërime, por jo dëmtimin e trupit”, sqaroi Pano.

“Jam mërzitur nga deklarata të shumta të kolegëve të mi që thonë se ato vajza dhe mamaja e tyre nuk kanë qenë pjesë e komunitetit tonë. Absolutisht që kanë qenë tanët, pasi edhe myslimani, edhe ateisti janë njerëzit tanë. Gjatë 4-5 javëve të para të izolimit, kam marrë qindra mesazhe nga njerëzit që më thonin se kishin ankth. Imagjinoni një izolim 2-vjeçar brenda shtëpisë. Nuk kemi qenë mjaftueshëm pranë tyre që t’i çlironim nga trauma e izolimit, e dhimbjes së humbjes së babait dhe nga manipulimi që vjen përmes doktrinave të rreme dhe grupimeve sektare që nuk janë të njohura zyrtarisht”, shtoi Pano.

Pastori nënvizoi se ngjarja “nuk lidhet fare me kulturën e krishterë, me mendimin mbi vdekjen dhe ringjalljen”.

“Në krishtërim nuk ndodh që të lyhet trupi i të vdekurit. Në krishtërim kemi të bëjmë me pavdekshmërinë e shpirtit, por trupi fizik do t’i rikthehet baltës”, tha Pano.