Të harruar pas tërmetit, të moshuarit jetojnë në banesën e pabanueshme

8 muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, një çift të moshuarish në Durrës thuajse janë harruar fare nga bashkia dhe institucionet e tjera që duhej të kujdeseshin për ta.

Me banesë të cilësuar të pabanueshme për shkak të tërmetit, me bashkëshortin e plagosur rëndë nga pasojat e tërmetit, Sherife Peqini jo vetëm që nuk e gjen emrin askund për të riparuar banesën, por nuk ka përfituar as nga bonusi i qirasë.

Ky fakt ka bërë që çifti i të moshuarve të vazhdojë jetesën në banesën e rrënuar në lagjen numër 4 të Durrësit dhe që nga çasti në çast mund t’i zërë brenda.

Sherifja tregon përpjekjet e herëpashershme në dyert e bashkisë: “I kam bërë dy herë letrat se një herë m’i humbën. Tani më thonë hajde sot e hajde nesër, por asgjë”.

E gjendur në kufijtë e mbijetesës, Sherife Peqini duket se ka humbur edhe shpresën: “Vdekjen do ta kisha më të lehtë sesa këtë që më ndodhi”.