Amnistia fiskale nuk do të japë rezultatet që pretendon të arrijë qeveria. Kështu u shprehën në A2 Business Week, ekspertë të ekonomisë.
“Nuk besoj që amnistia fiskale do të jetë e suksesshme, sepse ashtu siç deklaruan përfaqësuesit e FMN, së pari duhet të ndërtojmë administratë fiskale shumë profesionale, që të mbyllim të gjithë hapësirat e evazionit fiskal. Me këtë nivel, besueshmëria e investitorëve, apo qoftë edhe qytetarëve për të deklaruar para jo legale, është i ulët”, tha Janko, bashkëthemelues i Tirana Business University.
“Nuk besoj që emigrantët shqiptarë apo qytetarët kanë kursime kaq të mëdha, saqë po t’i deklarojnë mund të bëjnë ndryshim për buxhetin e shtetit apo ekonominë e vendit. Sigurisht që ka burime të tjera jo ligjore që vijnë nga veprimtari kriminale, por nuk besoj që do të hapen mundësitë për këto lloj buxhetesh”.
Ndërsa Selami Xhepa tha se Shqipëria nuk i plotëson parakushtet për një amnisti të suksesshme, për më tepër që ka eksperimentuar disa herë radhazi për ta bërë këtë. “E kemi të provuar që efektet kanë qenë të papërfillshme, përkundrazi dëmi që kemi krijuar ka qenë më i madh, sepse kemi dëmtuar moralin e shoqërisë në raport me ligjin dhe detyrimet. Duhet të heqim dorë nga populizmat. Gjendja në të cilat ndodhen financat publike është kritike dhe ne duhet të kemi si fokus kryesor si t’i shëndoshim stabilitetin makroekonomik dhe fiskal të vendit”, tha ai.