Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Janko: Shpenzimet e parashikuara në buxhet, përtej kufijve, kriza mund të vazhdojë pas vitit 2021

Nga A2 CNN
8 Korrik 2020, 20:47 | Ekonomi
Janko: Shpenzimet e parashikuara në buxhet, përtej kufijve, kriza mund

Enea Janko, bashkëthemelues i Tirana Business University, mendon se rritja e shpenzimeve të qeverisë në buxhetin e rishikuar, është diçka që shkon përtej mundësive të saj.

“Rritja e shpenzimeve më duket përtej kufijve që mban buxheti ynë. Të ardhurat janë planifikuar 14% rënie, shpenzimet janë parashikuar me 5,6% rritje. Mendoj që është përtej mundësive që ka buxheti, pasi situata me Covid-19 nuk dihet sesi do të shkojë. Prandaj mendoj se duhet të ishim pak më të matur. Nuk duhet ta ezaurojmë deficitin buxhetor brenda këtij viti. Të gjithë parashikojnë që kriza do të vazhdojë ndoshta edhe përtej vitit 2021. Aq më tepër kur shikon ku janë rritur investimet”, tha Janko, i ftuar në A2 Business Week.

Sipas tij, rishikimi i buxhetit reflekton edhe politikat fiskale që janë prezantuar së fundmi nga qeveria, si heqja e tatim fitimit, ose rritja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël. “Ulja e të ardhurave është 13-14% ndërsa rënia ekonomike nuk parashikohet në këto nivele. Rishikimi i të ardhurave më këtë ulje ka reflektuar edhe këto politika”, shtoi ai.

Janko thotë se vendi ka nevojë për investime në infrastrukturë, por jo ato për të cilat po bën qeveria. “Por në vend që të merremi me investime me miliarda euro apo dollarë, duhet të merremi me investime më të vogla që duhen përfunduar. Si aksi Fushë-Krujë Tiranë, ka ardhur Rruga e Kombit deri në Fushë-Krujë dhe duhet lidhur me Tiranën ose me autostradën Tiranë – Durrës. Apo shumë akse të tjera rrugore që me investime shumë më të kufizuara e bëjnë shumë më eficent transportin brenda vendit”, u shpreh ai.

“Në kohë krizash nuk duhet të mendojmë vetëm për investime gjiganteske, që ndoshta kryeministri i bën edhe për të rritur optimizmin e shoqërisë, por mendoj që fokusi duhet të jetë në investime që janë më me këmbë në tokë. Shikoj që janë pakësuar fondet për Ministrinë e Bujqësisë, ndërkohë që ky është një nga drejtimet që duhet investuar. Kjo degë e ekonomisë ka potenciale të mira për t’u rritur. Edhe turizmi kërkon më shumë vëmendje, sepse po e vuan shumë krizën e Covid-19”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani