Lehtësimi i masës për Agim Kajmakun, PD: U zbatua një skenar mafioz

bardhi 1100x620

Lehtësimi i masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit për ish kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i cili u arrestua vetëm një ditë më parë në një spital privat nga Policia e Shtetit, solli reagimin e menjëhershëm të Partisë Demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazmend Bardhi deklaroi se u zbatua një skenar mafioz nga qeveria dhe drejtësia që Agim Kajmaku të mos qëndronte asnjë ditë në burg.

“Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.

Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.

Agim Kajmaku, një falsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumente se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit.

Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë”, shkruhet në postimin e Gazmend Bardhit.