Ilir Meta e merr seriozisht, krijon klubin e fansave të Celtic në Shqipëri

WhatsApp Image 2020 07 09 at 21.51.52 1100x620

Nëse pjesa më e madhe e shqiptarëve janë tifozë të Realit të Madridit, Barcelonës, klubeve italiane apo atyre angleze, krejt e kundërta ndodh me presidentin Ilir Meta, i cili është tifoz i skuadrës skoceze të Celtic.

Shpesh, mbështetja që i ka dhënë presidenti i vendit tonë skuadrës skoceze është bërë lajm edhe nga mediat sportive në Britaninë e Madhe.

Por tashmë, Meta duket se e ka marrë seriozisht përkrahjen për ish-skuadrën e shqiptarit Rudi Vata. Këtë të enjte, ai ka themeluar klubin e fansave të Celtic në Shqipëri.

Në praninë e shumë tifozëve shqiptarë, së bashku me ish-kapitenin dhe legjendën e Kombëtares shqiptare të Futbollit, Rudi Vata, i cili ka luajtur me Celtic FC, me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Sh. T. Z. Duncan Norman MBE, si dhe me legjendat e tjera të futbollit shqiptar Perlat Musta, Ferit Rragami, Shyqyri Ballgjini dhe Ilir Lame, të cilët u përballën në vitin 1979, në kuadër të Kupës së Kampionëve të Europës me klubin e famshëm skocez të Celtic FC, Presidenti Meta shpalli krijimin e “Celtic Supporters Club Albania”.

Celtic Supporters Club Albania duhej të ishte e hapur pikërisht në këtë ditë pasi një vit më parë, më 9 korrik 2019, gjatë një vizite zyrtare në Sarajevë, unë takova një grup të mrekullueshëm të tifozëve të Celtic FC përpara ndeshjes me Sarajevo FC.

E kisha ndjekur prej shumë vitesh Celtic FC, për shkak të madhit tonë Rudi Vata, por pasioni i atyre tifozëve më mahniti dhe që prej asaj kohe unë e kam ndjekur me shumë fanatizëm Celtic FC.

Është e mahnitshme se si futbolli lidh njerëzit dhe vendet. Dhe ja ku jemi sot, Skocia, e njohur që herët si Alba, ashtu si Shqipëria vendi im, dy vendet e shqiponjave, të malësive të mrekullueshme, të njerëzve mikpritës, tashmë janë bashkuar edhe më shumë.

Celtic FC ka domethënie të madhe për mua. Do të thotë solidaritet, socializim, bashkësi, besnikëri, integritet, miqësi. Për të mos ecur kurrë vetëm.

Në këtë ditë historike për Mbështetësit e Celtic në Shqipëri dërgoj përshëndetjet e mia për të gjithë lojtarët e klubit dhe menaxherin, për të gjithë ekipin dhe të gjithë mbështetësit në Celtic Park, në Mbretërinë e Bashkuar, Skoci, dhe në mbarë botën.

Ilir Meta