Çfarë do të thotë largimi amerikan nga OBSH?

Ishte paralajmëruar prej kohësh, tashmë kanë nisur dhe procedurat zyrtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Administrata e presidentit Donald Trump, njoftoi me anë të një letre me vetëm tre fjali Kongresin Amerikan dhe Kombet e Bashkuara. Megjithatë procedurat janë tepër të gjata e të lodhshme që shkojnë deri në një vit. Procesi mund të jetë i kthyeshëm, por Trump nuk lëshon pe, kundrejt paralajmërimeve të shumta të ekspertëve dhe shteteve anëtare të OBSH-së për pasojat negative të një zhvillimi të tillë.

“Presidenti e bëri shumë të qartë, nuk do të pranojmë një organizatë, e cila ka qenë historikisht e paaftë dhe që nuk ka përmbushur funksionin e saj thelbësor. Ka një përqendrim të vërtetë në dështimet që ndodhën në Wuhan dhe në paaftësinë thelbësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të kryer misionin kyç të parandalimit të përhapjes globale të pandemisë”

Mike Pompeo, sekretar shteti i SHBA

Kjo sjellje, është një dëshmi që kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka dhe aq besim tek shkenca edhe pse më shumë duket si një tekë e tij. Gjithçka nisi në muajin prill, kur Trump vendosi të ndiqte rrugën e akuzimit të Kinës për shkaktimin e pandemisë dhe origjinën e Covid-19. Kundërshtimi që i erdhi nga OBSH, që shpesh ka vlerësuar qeverinë e Pekinit për menaxhimin e mirë të emergjencës shëndetësore, nuk u prit mirë nga presidenti amerikan. Fillimisht do të lëshonte sulme drejt Organizatës së krijuar nga Kombet e Bashkuara për keqmenaxhim dhe për mbulim të fajësisë së Kinës. Më pas përshkallëzoi qëndrimin, duke njoftuar ndërprerjen e fondeve për OBSH-në pas skadimit të afatit 30 ditor, brenda të cilit kërkoi reformimin e gjithanshëm. Kësaj here, Trump kërkoi që Kina të shtonte kontributin e saj financiar në proporcion me shërbimet që merrte dhe numrin e popullatës. Natyrisht asgjë nuk ndryshoi, gjë e cila çoi në formalizimin e largimin amerikan.

Trump i mori këto vendime përgjatë një periudhe 3-mujore, brenda së cilës shpresonte që OBSH ta mbështeste vijën e tij kundër Kinës. Por nuk ndodhi kështu. Organizata ndërkombëtare publikoi herë pas here studime dhe prova konkrete që mbronin Pekinin zyrtar nga pretendimet për krijimin e Covid-19 në laborator.

Largimi Amerikan shkakton shumë probleme. Më i rëndësishmi është ai financiar që vlerësohet të jetë tepër i konsiderueshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qenë nga viti 1948 kontributori i parë i OBSH-së, me fonde që shkojnë deri në 500 milionë dollarë në vit.

“Kjo është një përpjekje e pamatur për të minuar punën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në mes pandemisë globale. Me Covid-19 që po përhapet mes shumë shteteve Amerikane, administrata Trump po përdor jetët e njerzve si gurë shahu në një manovër politike të konceptuar keq.”

Amnesty International

Vendimi është konsideruar i paligjshëm dhe i rrezikshëm nga një artikull i publikuar në revistën e njohur “The Lancet”, i cili është nënshkruar nga ekspertë të shumtë të Universitetit Xhorxhtaun, Jell, Akademia Kombëtare e Mjekësisë, Shoqata Publike Amerikane për Shëndetin Publik dhe shumë agjenci të tjera. Sipas tyre, SHBA vendosë në rrezik shëndetin dhe sigurinë globale duke shtuar se largimi nga OBSH është në shkeljeve të ligjeve amerikane.

Në territorin e Shteteve të Bashkuara janë 21 qendra bashkëpunuese dhe ky shtet është pjesë e dy traktateve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa shumë institucione po bashkëpunojnë me të në programe të rëndësishme. Boshllëku që lë vendimi i Shteteve të Bashkuara është tepër i madh si nga ana simbolike ashtu edhe monetare. Shtetet më të fuqishme anëtare si Franca, Gjermania dhe Kina janë zotuar që të rrisin kontributet e tyre, por sigurisht vështirësi do të ketë në përmbushjen e synimeve.

Organi i Shëndetit Publik, i ngritur në Gjenevë dhe që aktualisht numëron 195 vende anëtare, varet edhe nga donacionet vullnetare, me fondacionin e filantropit Bill Gates që renditet mes kontributorëve më të mëdhenj.

Misioni kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është pikërisht që të paralajmërojë popullatën, parandalojë ose kontrollojë sëmundje që kanë potencial të kthehen në pandemi dhe të rrezikojnë jetët e njerzve. Gjithashtu ka një detyrë humanitare të furnizojë vendet anëtare dhe kryesisht shtetet më të varfëra të globit me pajisje dhe asistencë mjekësore. Prandaj vendet anëtare dhe ekspertët e shëndetësisë e konsiderojnë si vendim të nxituar largimin amerikan në këtë periudhë pandemie.

Por a ka të drejtë Trump në pretendimet e tij?

E vërteta është se ky nuk është momenti i duhur për të dobësuar një Organizatë Ndërkombëtare, nga e cila varen shumë shtete. Por OBSH ka pasur një menaxhim tepër kaotik të pandemisë aktuale, shpeshherë duke përmbushur detyrën me pak vonesë.

“Bota po vuan tani si rezultat i mizorisë së qeverisë kineze. Zyrtarët injoruan obligimin për të raportuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë duke mashtruar botën kur virusi u zbulua për herë të parë nga autoritetet. Kina ka kontroll të plotë mbi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pavarësisht se paguan vetëm 40 milionë dollarë në vit.”

Donald Trump, president i SHBA

Kundërpërgjigja e OBSH-së për këto pretendime ka qenë përherë e njëjtë dhe e prerë duke hedhur poshtë akuzat e presidentit amerikan. Së fundmi ka dërguar një ekip në Kinë për të hetuar më nga afër origjinën e virusit të rrezikshëm. Gjithashtu ka ngritur dhe një panel të pavarur për të hetuar kundërpërgjigjet e qeverive ndaj pandemisë Covid-19. E gjithë kjo erdhi pas kritikave dhe vendimeve të Administratës së SHBA-ve.

Por vetë Trump ka pohuar kohë më parë se bashkë me disa shtete të tjera anëtare do të niste një hetim të pavarur brenda Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mënyrën e menaxhimit të pandemisë. Megjithatë një rezultat konkret ende nuk ka. Drejtori i Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebrejesus ka pranuar publikisht se OBSH ka të meta.

“Gjatë 15 viteve të fundit, kam bashkëpunuar me OBSH dhe kam parë mënyrën se si operon. E pranoj, kam edhe unë ulje-ngritjet e mia. Në disa momente kam qenë i lodhur nga burokracitë, politikat e brendshme dhe ritmet e ngadalta të OBSH-së. E di që nuk është një Organizatë perfekte”

Tedros Adhanom Ghebreyesus, sekretar i përgjithshëm i OBSH

Sa mundësi reale ka që të finalizohet largimi amerikan nga OBSH? Aktualisht është një pyetje, të cilën po e shqyrton edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres është procesin e verifikimit nëse janë përmbushur kushtet për tërheqjen e SHBA-ve. Në letrën e Trump shkruhet se afati për largimin nga OBSH është 6 korriku i vitit 2021. Pra një ndër kushtet kryesore është i plotësuar, ai i njoftimi të Organizatës Ndërkombëtare 1 vit para. Një tjetër aspekt që po monitorohet është ai financiar, për të cilin të gjithë bien dakord që Amerika jo vetëm ka përmbushur obligimet e saj po i ka tejkaluar përgjatë viteve duke çuar financimin nga 400 në rreth 800 milionë dollarë. Një çështje që mund të prishë planet e Trump lidhet pikërisht me këtë, pasi Kombet e Bashkuara konfirmuan për një media të Kinës se Shtetet e Bashkuara nuk kanë paguar akoma detyrimin prej 116 milionë dollarësh për sezonin 2020-2021. Gjithashtu i detyrohen 41 milionë dollarë të tjerë për buxhetin e 2019-ës.

Kjo nuk është e vetmja mënyrë që mund të pengojë apo anulojë procesin e largimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në nëntor, amerikanët do të votojnë për të zgjedhur presidentin e vendit për 4 vitet e ardhshme. Në garë është Donald Trump, për një mandate të dytë dhe rivali demokrat, Joe Biden. Ky i fundit është zotuar në fushatën elektorale t’i zhbëjë thuajse të gjitha vendimet e Trump, përfshirë ndërprerjen e fondeve dhe procesin e largimit nga OBSH.

“Amerikanët janë më të sigurt kur vendi ynë angazhohet në fuqizimin e shëndetit global. Në ditën e parë si president, do t’i ribashkohemi OBSH-së dhe do të rikthejmë lidershipin tonë në skenën botërore.”

Joe Biden, kandidat demokrat për president

Kështu që, përveç postit të presidentit, amerikanët do të kenë dhe një arsye më shumë që do të shtojë dilemat e tyre, pasi do të mund të zgjedhin, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëse vendi do të jetë ose jo, pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.