Meta kthen ligjin për vetting-un në Polici: Nëse miratohet, sjell pasoja të rënda

Ilir Meta 1100x620

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”, miratuar në Kuvend në 18 qershor të këtij viti.

Sipas presidentit, “problemi më i madh që paraqet ky ligj është pikërisht heqja e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”.

“Nëse miratohet dhe hyn në fuqi, ky ndryshim do të sjellë pasoja të rënda në drejtim të stabilitetit dhe mirëfunksionimit të trupave policore. Ky ndryshim do të rrisë pasigurinë e trupave policore dhe rrjedhimisht, pasoja e pritshme negative do të jetë ulja e efektivitetit të tyre në punën e përditshme, nën presionin e vazhdueshëm dhe pa afat për t’iu nënshtruar vlerësimit kalimtar.

Ndërkohë që vlerësimi i drejtuesve të lartë është një proces që duhet të kishte përfunduar tashmë për shkak edhe të numrit të kufizuar të tyre, ky vlerësim propozohet të shtyhet pa asnjë kufi kohor. Kjo nismë ngjan më shumë me një lehtësi apo favor që krijohet për drejtuesit e lartë aktualë të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me vetë qëllimin e nismës ligjore për të siguruar institucione të forta e të besueshme, me profesionistë me integritet”, thuhet në arsyetimin dërguar Kuvendit.