Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Vrojtuesit e plazheve që shpëtojnë jetë...

Nga A2 CNN
11 Korrik 2020, 17:23 | Lifestyle
Vrojtuesit e plazheve që shpëtojnë jetë...

Çdo pushues që hyn për të notuar mund të rrezikohet për arsye nga më të ndryshmet, ndaj vrojtuesit e plazhit mbeten personat e vetëm të specializuar për shpëtimin e jetës në mes të ujit. Vitet e fundit po i jepet më tepër rëndësi prezencës së këtyre të rinjve pranë brigjeve, duke përhapur ndjesi qetësie tek qytetarët.

Teksa pushteti lokal duket se po kursen për të dislokuar vrojtues në plazhet publike, privatët nxitojnë për të shtuar kështu edhe prezencën e sa më shumë pushuesve. Përgjatë gjithë kësaj vere, pritet që afro 700 vrojtues do të patrullojnë bregdetin.

Gent Lasku, sekretar i Federatës së Vrojtuesve tregon se federata ka afro 4 vite që është krijuar dhe prania e ekspertëve të tillë në brigje e ka rritur numrin e turistëve, ndërsa është vërejtur rënie e mbytjeve në ujë. Vitin e kaluar u shënua edhe rekordi i rasteve të shpëtimit të jetës në ujë, ndërsa ndërruan jetë vetëm 12 persona.

24 kandidatët për vrojtues po kryejnë përgatitjet e fundit, në pishinën e një resorti në Shëngjin, para se të marrin edhe certifikatën. Përpos këtij dokumenti që lëshohet vetëm një herë dhe që i bën automatikisht specialistë të vrojtimit të plazhit dhe shpëtimit të jetës, në çdo 2 vite ata duhet të rinovojnë kartën, çdo do të thotë se testohen sërish si për njohuri të teorike, ashtu edhe për përgatitjen fizike.

Por sa fuqi vepruese ka një vrojtues nëse konstaton një kundërvajtje dhe si duhet të veprojë ai nëse ndodhet përballë një rasti të tillë? “Vrojtuesi ka për detyrë të raportojë në instancat përkatëse. Të gjithë shkeljet e tjera administrative, ka detyrë t’i raportojë, por edhe të ndërhyjë në të gjitha rastet që konstaton një person të rrezikuar”, thotë Lasku.

Jeta vjen vetëm një herë dhe kur ajo humb si pasojë e shpërfilljes së masave të sigurisë në plazhe, atëherë përgjegjësia e instancave shtetërore apo operatorëve privatë, është shumë herë më e madhe. Gjithsesi, në çdo rast rreziku në ujë, do të gjeni një vrojtues. Ai do të jetë aty për sigurinë tuaj. Mjafton që teksa shijoni pushimet, të ndiqni edhe rregullat... 

A2 CNN Livestream

Dita jonë