Rifillon dialogu Kosovë-Serbi, Hoti dhe Vuçiç në videokonferencën e Brukselit

Dialogu Prishtinë-Beograd, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ka rifilluar me anë të videokonferencës. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë përballë Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar kushtet e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Biseda do të lehtësohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrel dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Borrel në fjalimin e tij hyrës tha se qëllimi i Bashkimit Europian është të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme e cila është tejet e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe vetë Bashkimin Evropian: “E dimë që nuk është një proces i lehtë, s’ka qenë kurrë, por është me shumë rëndësi që të punojmë drejt paqes dhe prosperitetit për hir të së ardhmes sonë të përbashkët. Kjo kërkon guxim politik të të dyja palëve, përkushtim dhe angazhim në shpirtin e kompromisit dhe pragmatizmit”.

Edhe në këtë takim priten përplasje mes Hotit dhe Vuçiçit, ashtu siç ndodhi në Samitin e Parisit disa ditë më parë. Shefi i qeverisë së Prishtinës i ka bërë të qarta qëndrimet e tij dhe pikat kryesore të marrëveshjes finale si njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës. Por, këto kushte janë konsideruar të papranueshme nga Beogradi, që insiston në idenë që të dyja palët të fitojnë diçka në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Ndërkohë, ky është takimi i parë mes palëve që nga viti 2018, edhe pse në mënyrë virtuale. Ai do të pasohet nga një takim personal i nivelit të lartë në Bruksel të enjten më 16 korrik.