Braktisi skuadrën në prag të derbit, Partizani shkarkon Sormanin

partizani sormani 1100x620

Partizani largon trajnerin Adolfo Sormani. Klubi ka marrë vendim me efekt të menjëhershëm, duke prishur kontratën me trajnerin, pavarësisht se marrëveshja me italianin duhej të vijonte edhe për dy sezonet e ardhshme.

Aventura e dytë e teknikut në stolin e kuq zgjati vetëm 6 muaj. 16 herë kampionët e Shqipërisë konfirmuan ndërprerjen e marrëdhënies me Sormanin dhe dy asistentët e tij Giovanni Mazzella dhe Gabriele Façia.

Shkak u bë mungesa e trajnerit dhe pjesëtarëve të stafit teknik në stol gjatë derbit të barazuar me Tiranën. Në momentin kur te Partizani rezultuan pesë futbollistë pozitivë me koronavirus, Sormani dhe ndihmësit e tij, nuk pranuan të uleshin në stol. Vendimin e tyre, ia komunikuan klubit me e-mail, ndërsa në stol qëndruan drejtori i klubit, Olsi Rama, drejtori i akademisë, Genc Tomori dhe zëvendëstrajneri, Renaldo Kalari. Ky i fundit u projektua menjëherë si pasardhës i italianit në stol.

Kalari do të qëndrojë në drejtimin e skuadrës edhe për tre ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, ku ndaj Teutës, Vllaznisë dhe Skënderbeut misioni është më i vështiri i mundshëm, me ngjitjen e Partizanit në zonën e kupave të Europës.