Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ndryshime kushtetuese jo në kushtet e emergjencës

Deri para pak ditësh, marrëveshja që mbante firmat e 5 qershorit, që subjekt kishte dakordësinë e një reforme zgjedhore, ishte arritja pothuajse e vetme politike e muajve të fundit, e cila përkonte edhe me një prej detyrave të shtëpisë që ndërkombëtarët na dhanë për rrugën e integrimit. Nisur nga çfarë na tregon historia, pyetja që lind është, nëse cenon stabilitetin qëndrimi i ri zyrtar i PS-së për listat e hapura të pjesshme dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore?

Edhe një herë, ndërkombëtarët e tërhoqën veshin e politikës në distancë, Komisioneri Oliver Varhelyi dhe ambasadorja Yuri Kim kërkuan miratim të shpejtë të marrëveshjes në kornizat ekzistuese të 5 qershorit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka qenë një strukturë vrojtuese e vazhdueshme, e cila është konsultuar dhe ka dhënë idetë e saj për ecurinë e reformës zgjedhore, e së fundmi fliste për mungesë transparence. Por çfarë mendon sot kur mund të shkohet edhe drejt ndryshimeve kushtetuese në rrethana “in extremis” për kohën fizike në dispozicion? Për këtë foli në A2 Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Skëndaj thekson se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen në kushtet e emergjencës.

“Në këndvështrimin tonë, situata duket se është e diktuar nga klima dhe mosmarrëveshjet politike. Këto ndryshime kushtetuese, të kërkuara nga opozita parlamentare, vijnë si një kusht që të miratohen ndryshimet e propozuara në kodin zgjedhor. Këtë situatë ne nuk e kemi parë në prizmin politik. Në vlerësimin tonë, nuk po merren në konsideratë nevojat reale. Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të bëhen në kushtet e emergjencës. Kushtetuta nuk mund të preket as në kushtet e emergjencës dhe në interesat e kujtdo pale”.

“Edhe vetë amendamentet e ndryshuara në Kodin Zgjedhor të dakordësuara në Këshillin Politik, të cilat janë depozituar më 1 korrik në Kuvend, nuk garantojnë standardet më të mira dhe mbi të gjitha adresim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Është e qartë që edhe këto ndryshime vijnë si një zgjidhje për situatën me të cilën është duke u përballur vendi, por në thelb shikojmë që shumë prej dispozitave të propozuara nuk janë adresim i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Madje ka edhe disa çështje të tjera, të cilët përveçse nuk përfshihen në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, bien ndeshet me parimet e shtetit të së drejtës”, u shpreh në A2 drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.