Lleshaj: Vendimet online në e-Albania, do dërgohen me e-mail

Lleshaj per komisionet e rrugoreve frame 312 1100x620

Tashmë qytetarët nuk do të presin më në radhët e Policisë Rrugore për të dalë në komision, por pretendimet e tyre dhe dokumentacionin mund ta ngarkojnë në portalin qeveritar e-Albania.

Sipas ministrit të Brendshëm ky vendim shmang radhët në Policinë Rrugore, mbron qytetarët nga situata e pandemisë por edhe korrupsionin “Me këtë hap, ne, së pari bëjmë një shërbim për qytetarët, së dyti eliminojmë edhe një mundësi kontakti të drejtpërdrejtë të qytetarëve me komisionet përkatëse. Në mënyrë që të evitojmë të gjitha rreziqet e mundshme, që kanë gjasa të zhvillohen në këto situata. Lehtësimi i shërbimeve për qytetarët në të njëjtën kohë është edhe një lloj shtrëngese për ata që shkelin rregullat për arsye se tashmë mundësi e kontaktit bëhet zero. Pra, nuk kanë mundësi të ‘negociojnë’ me asnjë lloj Komisioni. Kështu që kjo thirrje le të vlejë për të gjithë qytetarët që të sensibilizohen për të shtuar kujdesin në qarkullim”, tha ministri.

Lleshaj nga ana tjetër bëri apel që qytetarët të shtojnë kujdesin në qarkullim ndërsa tha se në këtë mënyrë rritet dhe rigoroziteti i vendimmarrjes së komisioneve. Shumë shpejt Ministria e Brendshme pritet dhe të paraqesë ndryshimet e reja në kodin rrugor kur priten rritje të masës së gjobës në lëvizje tej normave përdorimin e celularit apo dhe parakalimet e gabuara.